Valixhja është ende në cep të dhomës, fotot e pushimeve vazhdojnë të shfaqen në Instagram dhe alarmi i mëngjesit ka nisur sërish të bjerë. Vetëm se, në vend të energjisë që prisnit pas ditëve të pushimit, ndiheni pa humor, të shpërqendruar dhe me zero dëshirë për t’u kthyer në rutinë.
Nëse ju duket sikur mendja juaj ka mbetur ende me pushime, nuk jeni vetëm. Kjo gjendje njihet si “post-vacation blues” dhe mund të shfaqet pikërisht në ditët kur rikthehemi në punë.
Pushimet na ndihmojnë të çlodhemi dhe të ulim stresin, por efekti i tyre pozitiv nuk zgjat përgjithmonë. Sapo rikthehemi te email-et, takimet, afatet dhe përgjegjësitë, trurit i duhet kohë të përshtatet sërish.
Dhe kjo është arsyeja pse ditët e para mund të duken kaq të vështira. Mund të ndiheni më të ngadaltë, më pak të fokusuar dhe të mbingarkuar edhe nga detyra që zakonisht i përfundoni pa problem.
Por ka edhe një tjetër paradoks: ndonjëherë vetë pushimet na lodhin.
Udhëtimet e gjata, fluturimet, netët e shkurtra, aktivitetet pa fund dhe detyrimet familjare nuk janë gjithmonë sinonim i relaksit. Për disa njerëz, pushimet nënkuptojnë edhe udhëtime të shtrenjta, organizim dhe një axhendë po aq të ngarkuar sa ajo e punës.
Mos kërkoni nga vetja të jeni “full power” që ditën e parë
Sekreti për një rikthim më të lehtë është të mos i vendosni vetes presionin për të kapur menjëherë ritmin.
Filloni me gjërat më urgjente, sistemoni inbox-in dhe ndani kohën për punë të përqendruar. Një shëtitje e shkurtër, pak aktivitet fizik dhe disa minuta larg ekranit mund të ndihmojnë gjithashtu.
Dhe mbi të gjitha, jepini vetes pak kohë.
Në vend që ta shihni fundin e pushimeve si fundin e ditëve të bukura, planifikoni diçka të vogël për të pritur me padurim: një darkë me miqtë, një film, një fundjavë jashtë qytetit apo thjesht një mbrëmje vetëm për veten.
Sepse rikthimi në rutinë nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga ndjesia e mirë që ju dhanë pushimet. Ndoshta sfida është pikërisht të sillni pak nga ajo jetë e ngadaltë, e qetë dhe e bukur edhe në ditët tuaja të zakonshme.
Dhe nëse ndiheni keq për disa ditë pas pushimeve, mos u shqetësoni: truri juaj thjesht po kërkon pak kohë për të kuptuar se pushimet kanë mbaruar./KM
