Kjo do të jetë një ditë e ngarkuar edhe për doktorin e pafajshëm Peng Pai. Në vitin e largët 2000, ai ishte një fëmijë që luante në parkun Beihai të Pekinit kur pa të kalonte një grup njerëzish që shoqëronin Vladimir Putinin në vizitën e tij të parë në Kinë.
Ai ia bëri me dorë nga muri ku ishte ulur, ndërsa presidenti rus iu afrua, ia ktheu përshëndetjen dhe e ndihmoi të zbriste poshtë. Fotografët që e shoqëronin shkrepën një foto që u bë e famshme dhe që shënoi rrugëtimin e tij të mëvonshëm: diplomim dhe specializim në Moskë, punësim “në një nga kompanitë e mëdha të Republikës Popullore”, siç ka treguar këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov.
Ekspozimi i ish-djaloshit që u bë simbol i miqësisë mes dy vendeve do të jetë një nga pikat kulmore të ceremonisë së një vizite për të cilën duket se ka më shumë nevojë i ftuari sesa mikpritësi.
Putin mbërrin sot në Pekin, i shoqëruar nga një delegacion ku, përveç ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov, janë edhe drejtuesit e kompanive Rosneft dhe Gazprom, pra të naftës dhe gazit. Nuk është diçka e re: presidenti rus dhe ai kinez Xi Jinping janë takuar më shumë se dyzet herë në katërmbëdhjetë vitet e fundit, dhe vetëm në vitin 2026 pritet të takohen sërish në gusht, shtator dhe nëntor.
Por ishte Rusia ajo që e njoftoi këtë samit menjëherë pas vizitës së Donald Trump në Kinë, me një shpejtësi që shumë vëzhgues e kanë parë si domethënëse. Nëse qëllimi i Xi-së duket i qartë, të forcojë gjithnjë e më shumë pozicionin e tij në Rendin e Ri Botëror, siç tregon fakti që në vetëm katër muaj ka pritur të gjithë përfaqësuesit më të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më pak i qartë mbetet qëllimi i vizitës njëditore të Putinit.
Është e sigurt që Moska ka nevojë të marrë diçka. Ushakov ka folur për ndërtimin e “Power of Siberia 2”, projektin e gazsjellësit të gjatë që sipas Kremlinit do ta bënte Kinën blerësin kryesor të gazit rus, megjithëse Pekini sapo ka nënshkruar një marrëveshje me Turkmenistanin, duke treguar se nuk dëshiron të lidhet me një furnizues të vetëm.
Por përtej iluzionit të infrastrukturës së re, ndjesia e përgjithshme është se në lojë ka diçka më delikate: pas vizitës së Trump-it, Rusia ka nevojë për garanci, në një moment vështirësish të dukshme.
Këtë e nënvizon, jo rastësisht pak para nisjes së Putinit për në Pekin, Volodymyr Zelensky, mjeshtër i ndërtimit të narrativave, monedha e përditshme e luftës së propagandës. Presidenti ukrainas thotë se shërbimet e tij sekrete kanë siguruar dokumente që konfirmojnë humbje të mëdha të kompanive ruse të naftës nga dronët, “njëra prej të cilave është detyruar të mbyllë 400 puse”, se 11 banka apo institucione financiare janë drejt likuidimit, se Rusia po përfshin “kompani globale në menaxhimin e vështirësive financiare dhe skema për shmangien e sanksioneve”, dhe se disa “subjekte amerikane” po bëjnë biznes në Krime.
Vetëm koha do të tregojë nëse bëhet fjalë për të vërteta apo dëshira ukrainase, por ndërkohë kjo godet në një nga pikat e dobëta të Rusisë së sotme. Edhe mënyra se si mediat e Kremlinit e trajtojnë vizitën e Putinit lë të kuptohet njëfarë shqetësimi, përveç vetëbesimit të zakonshëm.
Agjencia shtetërore Ria Novosti e mbyll editorialin e saj me një lloj himni: “Dy miqtë e vjetër takohen për të diskutuar ngjarjet e fundit dhe për të përcaktuar një strategji të përbashkët… Ndërkohë, pro-perëndimorët ankohen: sikur Trump të kishte ndarë Moskën dhe Pekinin, do të kishte mundur Rusinë dhe Kinën… por nuk ia doli. Prandaj tani mund vetëm të qajnë dhe të dorëzohen”.
Por diçka nuk shkon, pasi edhe Russia Today, zakonisht besnike, e titullon analizën e saj me një thirrje të dhimbshme: “Pekini nuk mund ta konsiderojë më Rusinë si partner të dorës së dytë”.
Ky është obsesioni i madh i epokës së Putinit: frika e humbjes së statusit si fuqi e madhe. Dhe prej këtu lind nevoja për të shkuar te Xi për t’i treguar botës se Rusia nuk është hallka e dobët e trekëndëshit Pekin–Moskë–Uashington./mxh
