Presidenti rus Vladimir Putin nuk po tregon gatishmëri për negociata paqeje me Ukrainën dhe ka shumë gjasa të përshkallëzojë konfliktin, në muajt e ardhshëm, sipas burimeve pranë Kremlinit të cituara nga “Reuters”.
Sipas këtyre burimeve, sulmet e fundit ukrainase me dronë ndaj rafinerive të naftës dhe porteve në Rusi, kanë forcuar vendosmërinë e Putinit për të vazhduar luftën.
Një zyrtar që takohet rregullisht me presidentin rus, tha se ekziston një “mundësi e madhe” për rritje të intensitetit të konfliktit.
Deklaratat vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se Putini dëshironte përfundimin e luftës dhe se një marrëveshje paqeje ishte “më afër nga sa mendohej”.
Trump ka zhvilluar bisedime telefonike me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa në samitin e NATO-s diskutoi me këtë të fundit, mënyrat për afrimin e paqes.
Megjithatë, sipas burimeve pranë Kremlinit, Putini mbetet i fokusuar te marrja e plotë e rajonit të Donbasit në lindje të Ukrainës.
Ai besohet se kundërshton çdo kompromis për një armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit dhe mendon se Rusia së shpejti, mund të marrë kontrollin e pjesës së mbetur të Donbasit.
Ukraina thotë se të dhënat e saj të inteligjencës tregojnë se Moska po përgatitet për operacione të reja ushtarake dhe jo për paqe.
Ndërkohë, analistë ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se Rusia mund të ketë nevojë për një mobilizim të ri ushtarak, për të arritur objektivat e saj, një masë që Putini e ka shmangur për shkak të kostos politike.
Sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin, janë intensifikuar javët e fundit, ndërsa Moska pretendon se ka goditur objektiva ushtarake.
Putini ka deklaruar se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse mund ta shtyjnë Rusinë të zgjerojë zonat e kontrollit, në territorin ukrainas.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e incidenteve mes Rusisë dhe NATO-s.
Sipas tyre, Moska mund të kryejë sulme të kufizuara ndaj vendeve anëtare të aleancës, për të krijuar përçarje brenda saj, pa kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë.
Luftimet në Donbas mbeten të ashpra. Ushtria ruse ka përparuar ngadalë këtë vit, ndërsa dronët ukrainas kanë penguar avantazhin numerik të Moskës.
Putini e konsideron marrjen e plotë të rajonit Donetsk si një objektiv kyç dhe një fitore politike që i nevojitet./mxh
