Në filmin The Wizard of the Kremlin, Jude Law e interpreton presidentin rus si një udhëheqës të ftohtë, hezitues, një strateg që e mori pushtetin sepse ishte i ri, atletik dhe spiun. Ky është një portretim shumë larg njeriut real.
Natasha Kiseleva*
Vitin e kaluar, duke folur në premierën e filmit The Wizard of the Kremlin në Festivalin e Filmit të Venecias – i bazuar në një libër për ngjitjen e Vladimir Putinit – aktori Jude Law deklaroi se “nuk kishte frikë nga asnjë pasojë” për interpretimin e tij të presidentit rus. Law mund të ketë të drejtë, por jo për arsyen që mendon. Filmi përputhet aq ngushtë me versionin e mitizuar të Putinit, të promovuar prej mediave ruse, saqë brenda Rusisë ai lexohet më tepër si një kompliment sesa si një fyerje.
Kremlini dhe makina e kulturës popullore ruse kanë bashkëpunuar prej kohësh për të ndërtuar një version “me porosi” të Putinit, larg realitetit: një superherë politik pa moshë dhe pa gabime, një strateg i llogaritur në mënyrë perfekte, një ish-spiun i riformatuar si një James Bond rus, që gjithmonë di më shumë sesa thotë.
Një shembull i fundit është seriali televiziv Kronikat e Revolucionit Rus, i publikuar në tetor dhe i drejtuar nga Andrei Konchalovsky, fitues i Luanit të Argjendtë dhe mbështetës i hershëm i Kremlinit. Personazhi kryesor është një nënkolonel fiktiv, sykalter, i shërbimeve sekrete, i zgjedhur në mënyrë të pashpjegueshme nga rrethi i brendshëm i perandorit dhe i paraqitur si njeriu që “shpëton” Rusinë nga kaosi. Rolin e luan Yura Borisov, i nominuar këtë vit për Oscar. Edhe pse personazhi quhet Mikhail dhe jo Vladimir, nënteksti është i qartë: në këtë narrativë, shpëtimtari i Rusisë duhet të jetë një oficer sigurie.
Në Rusi, Putini i fabrikuar prej kohësh e ka zëvendësuar Putinin real. E megjithatë, portretizimet perëndimore shpesh përfundojnë duke e përforcuar të njëjtin mit, në vend që ta çmontojnë. Filmi The Wizard of the Kremlin i regjisorit francez Olivier Assayas, i bazuar në romanin satirik bestseller të Giuliano da Empoli-t dhe i përshtatur për ekran nga Emmanuel Carrère, në disa aspekte synon të subvertojë kultin e Putinit. Në këtë film, që del këtë muaj në kinematë franceze dhe spanjolle, presidenti rus paraqitet jo si shkak, por si simptomë, ndërsa qendra e narrativës zhvendoset drejt spin-doktorit Vadim Baranov dhe makinerisë politike përreth tij.
Filmi nuk paraqitet as si dokumentar dhe as si biografi. “Ajo që e bën këtë film unik, dhe ajo që më magjepsi, ishte pikërisht fakti se ai tregonte pasojat e së keqes politike, por përpiqej të portretizonte edhe natyrën e saj – mënyrën se si funksionon, mekanizmat e brendshëm”, i tha Assayas revistës Variety vitin e kaluar. Disa personazhe shfaqen me emrat e tyre realë, përfshirë vetë Putinin dhe oligarkët Boris Berezovsky dhe Vladimir Gusinsky. Të tjerë janë fiktivë, por të modeluar qartë mbi figura reale. Baranov (Paul Dano) duket se bazohet te operativi politik Vladislav Surkov. Dmitri Sidorov përfaqëson Mikhail Khodorkovskyn, biznesmenin që kaloi 10 vjet në burg pas përplasjes me Putinin.
Por portretizimi i Putinit në film ngjan me një manual të Kremlinit me titull imagjinar: Një udhëzues i shkurtër për romantizimin e udhëheqësit. Ai paraqitet si i zgjedhur nga Berezovsky dhe Baranov për të stabilizuar vendin, sepse ishte “i ri, atletik dhe spiun”. Ata e vizitojnë në zyrë dhe pothuajse i luten të bëhet president. Putini përgjigjet se do të preferonte ta sundonte Rusinë nga prapaskena, sepse qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa ai kërkon pushtet të përhershëm. Ky është miti që Kremlini eksporton: strategu i ftohtë dhe hezitues, i formësuar nga fati. Në realitet, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Në të vërtetë, askush nuk i është lutur ndonjëherë Putinit ta merrte postin. Në terma kinematografikë, presidenca ishte më tepër një “audicion”, dhe kandidatët nuk mungonin. Në qendër të këtij procesi ishte Berezovsky, një nga oligarkët më me ndikim të epokës së Boris Jelcinit, i cili priste të drejtonte vendin de facto pasi të instalohej një pasardhës. Lista e tij e shkurtër përfshinte Boris Nemtsovin (i vrarë pranë Kremlinit në vitin 2015), Sergei Kiriyenko-n (sot zëvendësshef i parë i administratës presidenciale), ish-drejtorin e shërbimeve të sigurisë Sergei Stepashin dhe disa të tjerë.
Gazetari Roman Badanin, i cili e ka studiuar gjatë biografinë e Putinit dhe së fundmi ka botuar librin Vetë Cari, argumenton se Putini thjesht i përmbushte kriteret që kërkonte Berezovsky. “Berezovsky ishte një kafshë politike dhe donte dikë që publiku ta kuptonte, mundësisht nga shërbimet e sigurisë”, më tha Badanin. “Çelësi ishte që kandidati të mos ishte komunist, sepse ata ishin në luftë me ta, dhe as liberal – ai tipi me syze dhe kostum të bukur që irritonte votuesit dhe dukej tepër pro-perëndimor. Kjo përjashtonte gjysmën e pretendentëve, por Putini ishte perfekt: një shërbyes besnik i shtetit.”
Edhe zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Shalva Chigirinsky, mik i afërt i Berezovskyt dhe dëshmitar i përzgjedhjes së Putinit si pasardhës, beson se ai nuk u zgjodh për cilësi udhëheqëse.
“Në verën e vitit 1999, Borya [Berezovsky] më tha se kishin vendosur për Putinin”, thotë Chigirinsky. “I thashë: ‘A je në vete? Kush do të votojë për të? Ai as nuk di të zgjedhë një këmishë në masën e tij apo të lidhë një kravatë.’ Putini nuk linte asnjë përshtypje si lider; nuk kishte karizëm politike apo ambicie. Borya shpjegoi se nuk u duhej një kandidat i fortë, por dikush i kontrollueshëm, që të ndiqte udhëzimet. Kriteri kryesor ishte që presidenti i ardhshëm të ishte i menaxhueshëm dhe besnik, që të mos kthehej kundër ‘Familjes’.”
“Familja” ishte formuar në vitin 1995 dhe përfshinte Berezovskyn, bashkëshorten e Jelcinit, Naina-n, vajzën e tij Tatyana-n dhe bashkëshortin e saj Valentin Yumashev, politikanin Aleksandr Voloshin dhe të tjerë. Prioriteti i tyre ishte vetëruajtja. Historia politike ruse është e mbushur me pasardhës që janë eliminuar ose shkatërruar, dhe sipas Chigirinsky-t, Putini i siguroi personalisht se do t’i mbronte interesat e tyre.
Si Badanin, ashtu edhe Chigirinsky bien dakord se imazhi i Putinit si spiun i fuqishëm i KGB-së u ndërtua retrospektivisht dhe ka pak lidhje me realitetin. Edhe pretendimet për “punë rekrutimi” gjatë viteve të tij në Dresden (1985–1990) nuk qëndrojnë ndaj verifikimit; shumica e këtyre historive u shtuan më vonë si pjesë e mitologjisë. Siç e përmbledh Badanin: “Ai merrej me dokumente dhe detyra teknike, jo me operacione. Në thelb, ishte një nëpunës i nivelit të ulët që kaloi 10 vjet në sistemin e inteligjencës së brendshme, jo dikush i përfshirë në punë reale agjenturore.”
Në një ndërthurje të çuditshme fakti dhe fiction-i, kalimi drejt portretizimit të Putinit si “spiun” mund të jetë nxitur pjesërisht nga ardhja e Daniel Craig si James Bond. Interpretimi i tij më i ashpër dhe minimalist i 007-s nxiti median ruse dhe audiencat online të vërenin ngjashmëri vizuale me Putinin. Deri në vitin 2011, posterë të përzier, ku fytyra e Craig-ut zëvendësohej me atë të Putinit në afishet e Casino Royale, u shfaqën në rrugët qendrore të Moskës. Origjina e tyre nuk u përcaktua kurrë zyrtarisht dhe ato u hoqën shpejt nga shërbimet bashkiake, por imazhet u fotografuan gjerësisht dhe u përhapën në tabloidet ndërkombëtare, duke ushqyer prirjen për ta parë Putinin si një “007 rus”.
Nëse paralelet mes Putinit dhe Craig-ut ishin gjithmonë të fabrikuara, situata është ndryshe me Jude Law-in, një aktor i dashur për publikun rus në disa breza. Kremlini nuk do ta humbasë rastin ta paraqesë zgjedhjen e tij në rol si një fitore të vogël diplomatike, ashtu siç e kishte paraqitur dikur ftesën e propozuar për një takim mes Putinit dhe Donald Trump-it në Alaskë. Fakti që filmi nuk shfaq as protestat masive, as opozitën, as Alexei Navalny-n, ndonëse mbulon ngjarje deri në vitin 2019, është një bonus i këndshëm për propagandën.
Në kinemanë dhe televizionin rus, Putini paraqitet zakonisht si një figurë omnipotente që nuk shfaqet kurrë drejtpërdrejt në ekran. Prania e tij sinjalizohet përmes portreteve në zyrat e guvernatorëve dhe ministrave, ose përmes telefonatave “nga lart”. Tani, në filmin e Assayas-it, ai më në fund merr një fytyrë.
*Natasha Kiseleva është një gazetare ruse në mërgim, me bazë në Gjermani/ Përgatiti për botim: L.Veizi
