Jessie J ka emocionuar fansat me lajmin më të bukur pas muajsh të vështirë. Këngëtarja britanike ka bërë të ditur se është shëruar plotësisht nga kanceri i gjirit, 11 muaj pasi mori diagnozën që i ndryshoi jetën.
Artistja 38-vjeçare ndau emocionet e saj përmes një videoje në Instagram, ku shfaqej në spital duke u përgatitur për një rezonancë magnetike (MRI). Edhe pse pranoi se ndihej shumë e frikësuar dhe se klaustrofobia e bënte situatën edhe më të vështirë, ajo u përpoq të qëndronte optimiste.
Pak më vonë, Jessie publikoi lajmin që kishte pritur prej muajsh. “Rezultatet dolën dhe jam zyrtarisht pa kancer. Kam qarë për orë të tëra nga lehtësimi. Ndihem sikur po marr frymë lirshëm për herë të parë pas një viti,” shkroi ajo.
Postimi i saj u mbush menjëherë me komente mbështetëse dhe urime nga fansa, miq dhe personazhe të njohur të botës së muzikës dhe televizionit.
Rrugëtimi i këngëtares nuk ka qenë aspak i lehtë. Në qershor të vitit të kaluar, Jessie J zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer gjiri në fazë të hershme, çka i dha mundësinë të niste menjëherë trajtimin. Ajo iu nënshtrua një mastektomie dhe më pas përjetoi edhe periudha të vështira emocionale, sidomos kur ndërhyrja e saj e dytë kirurgjikale u shty nga mjekët.
Për shkak të trajtimeve, artistja u detyrua të anulonte edhe turneun e saj muzikor në SHBA. Megjithatë, ajo u kërkoi falje fansave dhe premtoi se koncertet do të riplanifikoheshin sapo gjendja e saj shëndetësore të përmirësohej.
Tashmë, me këtë lajm të gëzueshëm, Jessie J duket gati të rikthehet më e fortë se kurrë në muzikë dhe në skenë./mxh
