Last Updated on 19/10/2026 by Anisa
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka dalë me një përgjënjeshtrim në lidhje me disa lajme të rreme që po qarkullojnë në rrjetet sociale, ku pretendohet se autoambulancat po përdoren për furnizim me gaz lotësjellës.
”Informojmë të gjithë qytetarët dhe protestuesit se: Autoambulancat dhe ekipet mjekësore janë në terren VETËM për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë mjekësore”, thuhet në reagim.
QKUM kërkon ndërgjegjësim nga protestuesit, sepse pengimi i qarkullimit dhe aktet e dhunës ndaj ambulancave apo ekipeve mjekësore vonojnë ndërhyrjen emergjente dhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e pacientëve në nevojë, si dhe sigurinë e stafit.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore bën publike dhe listën e targave të mjeteve që janë aktualisht në shërbim në zonat e protestës, në mënyrë që studentët dhe qytetarët t’i identifikojnë lehtësisht, dhe për të mos rënë pre e dezinformatave.
Lista e targave të mjeteve aktualisht në shërbim aktiv:
– AC 410 AC | AC 878 AC | AC 656 AC | AC 342 AC
– AB 657 CF | AB 703 CF | AB 946 CF | AB 776 CF
– AA 813 VU | AA 874 VU | AB 245 FV | AB 846 CF
Në Tiranë, përveç fluksit të zakonshëm prej rreth 180-200 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, gjatë ditëve të protestave janë shtuar rreth 100 raste të tjera. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.
Në këto kushte, çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik./ad
