Last Updated on 19/10/2026 by Klara
Biondja po merr një drejtim më të ngrohtë dhe natyral këtë sezon, duke lënë për pak kohë në plan të dytë nuancat shumë të çelëta dhe të ftohta. Në vend të tyre, vëmendjen po e merr Teddy Bear Blonde, një ngjyrë flokësh që ndërthur bjonden me nuancat kafe dhe reflekset e arta, për një rezultat të butë, të pasur dhe shumëdimensional.

Siç sugjeron edhe emri, kjo nuancë të kujton ngjyrën e një arushi pellushi. Përzierja e toneve bezhë, mjaltë dhe karamel krijon një pamje natyrale, që i përshtatet veçanërisht periudhës së tranzicionit nga vjeshta në dimër.

Popullariteti i saj lidhet edhe me faktin se është një alternativë praktike ndaj bjondes shumë të çelët, e cila shpesh kërkon vizita të shpeshta në sallon për të ruajtur ngjyrën. Teddy Bear Blonde ndriçon flokët pa u larguar shumë nga baza natyrale, duke ofruar një rezultat elegant dhe më të lehtë për t’u mirëmbajtur.
Çfarë është Teddy Bear Blonde?
Baza është zakonisht pak më e errët se ajo e bjondes klasike, duke iu afruar asaj që njihet si bronde, një përzierje mes bjondes dhe kafesë. Kjo e bën ngjyrën të duket më e butë dhe më natyrale, pa kontraste të forta mes rrënjëve dhe gjatësisë së flokëve.
Rezultati është një bjonde e ngrohtë dhe me shkëlqim, që krijon përshtypjen e flokëve të ndriçuar lehtë nga dielli.
Si arrihet kjo nuancë?
Fijet dhe teknika balayage janë ndër mënyrat më të përdorura për të krijuar efektin Teddy Bear Blonde. Duke kombinuar nuanca të ndryshme, parukieri mund t’i japë thellësi bazës dhe të shtojë shkëlqim përgjatë gjatësisë dhe në majat e flokëve.
Zgjedhja e toneve varet nga ngjyra natyrale e flokëve dhe rezultati i dëshiruar. Në flokët kafe, nuancat karamel dhe të arta krijojnë një pamje më të ngrohtë, ndërsa në flokët bjonde, tonet bezhë dhe të mjaltit japin një efekt më të butë.
Sekreti qëndron te harmonia mes nuancave dhe shmangia e kontrasteve të theksuara. Qëllimi nuk është një ndryshim drastik i ngjyrës, por një kombinim që duket natyral dhe i jep flokëve më shumë lëvizje e shkëlqim.
Si të ruhet shkëlqimi i Teddy Bear Blonde?

Një nga avantazhet e kësaj ngjyre është mirëmbajtja më e lehtë në krahasim me nuancat shumë të çelëta. Meqë baza mbetet më e errët dhe më pranë ngjyrës natyrale, rritja e rrënjëve nuk krijon një kontrast të menjëhershëm, ndaj takimet në sallon mund të jenë më pak të shpeshta.
Për të ruajtur shkëlqimin dhe butësinë e flokëve, rekomandohet përdorimi i shampos dhe balsamit për flokë të lyer, si dhe i maskave hidratuese që ndihmojnë në ruajtjen e elasticitetit të tyre. Mbrojtja nga nxehtësia përpara përdorimit të tharëses apo mjeteve të tjera të stilimit është gjithashtu e rëndësishme.

Ndërmjet seancave të ngjyrosjes, një trajtim për shkëlqim mund të rifreskojë tonet dhe t’i japë ngjyrës pamje më të gjallë. Kështu, Teddy Bear Blonde mbetet një zgjedhje për këdo që dëshiron një bjonde të ngrohtë, natyrale dhe elegante, pa pasur nevojë për ndryshime të shpeshta në sallon./k.m
