Last Updated on 14/10/2026 by EL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur në mbledhjen e Qeverisë se është miratuar propozim-vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kurti ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së është, sipas tij, i padrejtë juridikisht dhe moralisht, si dhe përmban pasaktësi juridike e historike.
Ai ka theksuar se për korrigjimin e këtij aktgjykimi në shkallën e Apelit nevojitet një strategji shtetërore që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.
“Për këtë arsye sot po themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, përmes këtij vendimi konkretizohet zotimi i Qeverisë për të përdorur mjetet në dispozicion në funksion të drejtësisë dhe mbrojtjes së të vërtetës historike të luftës çlirimtare.
Propozim-vendimi për themelimin e grupit punues është miratuar në mbledhjen e Qeverisë./et
