Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Transporti ajror në Shqipëri vijon të zgjerohet, si në lëvizjen e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të mallrave. Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025, hyrje-daljet e pasagjerëve me avion arritën në 11,6 milionë, me rritje prej 8,7% krahasuar me një vit më parë. Zgjerimi është edhe më i dukshëm në perspektivën dyvjeçare, pasi në vitin 2023 u regjistruan rreth 7,3 milionë hyrje-dalje.
Paralelisht, volumi i mallrave dhe postës arriti në 2.807 tonë, 24,4% më shumë se në vitin 2024. Megjithatë, fluksi mbetet i orientuar drejt importeve: 1.821 tonë mallra mbërritën në Shqipëri, ndërsa 682 tonë u dërguan jashtë vendit. Në hapësirën ajrore shqiptare u regjistruan gjithashtu mbi 334 mijë mbikalime, me rritje vjetore prej 9,7%.
Kjo tendencë vijon edhe gjatë vitit 2026 dhe pasqyron ndryshimet në ekonominë shqiptare, të nxitura kryesisht nga turizmi dhe zgjerimi i linjave me kosto të ulët, që e bëjnë udhëtimin ajror më të përballueshëm. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i tregtisë elektronike, lehtësitë fiskale dhe modernizimi i logjistikës tregtare po rrisin nevojën për transportin ajror të mallrave. Rritja e flukseve tregon rëndësinë në rritje të këtij sektori për turizmin dhe ekonominë, por edhe nevojën për kapacitete infrastrukturore që t’i përgjigjen kërkesës./ad
