Nëse e pëlqeni pijen portokalli të ndezur, por jo çmimin që shpesh e shoqëron në shumë bare, ja se cilat destinacione duhet të keni parasysh.
Për adhuruesit e aperitivit të famshëm italian, që nuk duan të paguajnë çmime të larta në bare, vlen të njihet Indeksi i Aperol Spritz.
I publikuar çdo vit nga eurochange, ky indeks rendit qytetet në mbarë Europën bazuar në çmimin mesatar të koktejit portokalli me alkool.
Saranda dhe Dhërmiu janë mes 10 qyteteve evropiane ku një Aperol Spritz ka çmim të përballueshëm.
“Si edhe qytetet e Italisë së Jugut, edhe Dhërmiu dhe Saranda në Shqipëri janë përfshirë në listën e 10 destinacioneve kryesore. Shqipëria po bëhet një alternativë gjithnjë e më popullore për pushime në Europë, ndërsa gjithnjë e më shumë turistë kërkojnë destinacione më pak të mbipopulluara gjatë sezonit të pikut, ndryshe nga Spanja, Italia apo Greqia. Vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan 12.47 milionë pushues, nga 11.7 milionë në vitin 2024. Në Sarandë, çmimi mesatar i një Aperol Spritz është 630 lekë, ose 7.69 dollarë, më lirë se në Gran Canaria, Korfuz dhe Lanzarote”, thuhet në index.
Ku mund ta gjeni Aperol Spritz më të lirë në Europë?
Jo çuditërisht, Italia, vendlindja e kësaj pijeje, kryeson renditjen, pasi në Napoli një gotë Aperol Spritz kushton mesatarisht vetëm 2 euro.
Vendin e dytë e mban gjithashtu Italia, por Palermo në Siçili nuk është aq i lirë sa Napoli, me një çmim mesatar prej 4 eurosh për gotë.
Dy qytete bregdetare në Bullgari zënë vendin e tretë dhe të katërt: në Varna një Aperol Spritz kushton mesatarisht 4.75 euro, ndërsa në Burgas 4.92 euro.
Pesëshja e parë plotësohet nga Marmarisi në Turqi, ku një gotë kushton mesatarisht 333 lira turke, ose 6.32 euro.
Sa u përket qyteteve më të shtrenjta, renditja mbyllet sërish me një qytet italian. Në Milano, një Aperol Spritz kushton mesatarisht plot 16.66 euro.
Ata që e pinë në kryeqytetin italian nuk janë shumë më mirë, pasi çmimet atje lëvizin rreth 14 euro.
10 qytetet kryesore për një Aperol Spritz të përballueshëm
Napoli, Itali – 2 euro
Palermo, Itali – 4 euro
Varna, Bullgari – 4.75 euro
Burgas, Bullgari – 4.92 euro
Marmaris, Turqi – 6.32 euro
Sarandë, Shqipëri – 6.71 euro
Dhërmi, Shqipëri – 7.46 euro
Gran Canaria, Spanjë – 7.26 euro
Zadar, Kroaci – 7.27 euro
Firence, Itali – 7.33 euro./ Euronews-ad
