Last Updated on 21/07/2025 by adminfjala
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen me të gjithë deputetët e Tiranës dhe drejtuesit e bashkive se do të ketë zero tolerancë për ndërtimet pa leje.
Kreu i qeverisë theksoi se nëse do të konstatohen raste kur tejkalohet 2 për qind e hapësirës për të cilën është marrë leja e ndërtimit, do të sekuestrohet nga shteti i gjithë objekti.
Edi Rama u shpreh se objekte të tilla që do sekuestrohen, do të përdoren për të strehuar njerëzit në nevojë dhe për arsye të tjera publike.
Sakaq, Rama i tërhoqi veshin deputetëve duke thënë se ka pasur raste që janë bërë ndërhyrje në momentin e fundit në ligjet që lidhen me ndërtimin, duke favorizuar në këtë mënyrë ndërtuesit.
“Do adresojmë problematikën e sigurimit të ndërtimeve, sigurim në funksion të marrëveshjes me shtetin për lejen e ndërtimit, marrëveshjet me blerësit për apartamentet e banimit. Po diskutojmë edhe për një garanci bankare për të gjithë ata që marrin leje ndërtimi.
E drejta për të zhvilluar me të cilën është abuzuar, duhet të adresohet si një e drejtë dhe detyrim për të qenë transparent dhe konform ligjit. Nga ana tjetër, do të marrim masa për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura, ngrehinat e braktisura që nga vitet 90, që qëndrojnë si karikatina dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve.
Dua të sqaroj aspektin me të cilin kanë luajtur njerëzit e sitemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime. Kur vjen puna e shkeljeve në lejet e ndërtimit me mbi 2 për qind të kufijve të lejes, përqindje e arsyeshme që përdoret dhe në botë, gjatë realizimit të projektit ka devijime, kur kapërcehet kjo, provokon sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit.
Paligjshmëria është e plotë sepse shkelja në ndërtim dhe ndërtimi i kateve shtesë për qëllim fitimi, nuk bëhen në një moment, por me muaj dhe me vite. Shkelje në vazhdimësi me vetëdije e ligjit. Kjo do sjellë kalimin e pronës në duart e shtetit që do mbrojë blerësit aty ku do ketë blerës dhe nga ana tjetër, pjesa tjetër përdoret për interes publik dhe strehim të atyre në nevojë.
Kemi një problem të madh dhe të patolerueshëm që është toleruar nga të gjitha bashkitë për kantieret e ndërtimit, kantiere që s’kanë respekt për ata që i rrethojnë, mjedisin, hapësirën apo sigurinë.
Kantiere që s’janë kantiere. Ndotje e patolerueshme dhe për këtë arsye do bëhet një ndërhyrje kuptimplotë në raport me kantieret e ndërtimit se çfarë kriteresh duhet të përmbushë një kantier ndërtimi.
Një sport tjetër që zhvillohet në Tiranë dhe bregdet, ata ndërtues që marrin një leje por ende pa u zbardhur leja, pa marrë dokumentin duke plotësuar nevojat e ligjit, kuturisen të hapin gropa me demek që po bëjnë gati kantierin.
Përdorin një nen për punime paraprake që kanë prodhuar pallate pa leje. Edhe për këtë masat që do marrim do jenë drastike. Kemi menduar për gjithçka por çuditërisht është lënë jashtë që në mënyrë të përsëritur në Kuvendin e Shqipërisë ka pasur prej shumë vitesh ndërhyrje në sekondën e fundit në ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimet dhe territorin, në favor të ndërtuesve.
Do të procedojmë më pas në vijim paralelisht me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimeve të Zhvillimit dhe me përfaqësi në çdo rajon, që do të thotë se bashkitë do ta kenë më të lehtë sa i përket planifikimit, gjë që do të lehtësojë një pjesë të madhe të bashkive të vogla dhe për të krijuar një bazë të re ndërveprimi mes komunitetit, investitorëve, zhvilluesve, pushtetit vendor dhe shtetit në tërësi. Kjo do na japë mundësinë që të kemi burime njerëzore shumë më cilësore në territor.”-tha Rama. m.p.