Në protestat e zhvilluara prej më shumë se tri javësh në Tiranë, ka marrë pjesë edhe një personazh që njihet për mbështetjen ndaj Iranit.
Ikballe Berisha Huduti ka qenë e pranishme në tubimin kundër qeverisë në ditën e 15-të, siç e ka bërë me dije në profilin e saj në rrjetet sociale.
Në postimet e saj, protestat në kryeqytet, Huduti i krahason me ato në Iran.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, thekson se të tillë personazhe janë përfitues, të korruptuar, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë.
Sa i përket Ikballe Berishës, Rama e konsideron një personazh të ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq, Kasem Sulejmani.
Ndërsa ka publikuar një foto të Ikballe Berishës me Ahmedinejad, të cilin e quan kryeshërbëtorin e Ajatollahëve.
“Mos u merr me protestuesit… Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër.
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama./ Kb
