Kryeministri Edi Rama ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për mandatin e ri qeverisës.
Përmes një letre urimi, Rama shprehet se i uron sukses në qeverisje dhe thekson gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha nivelet dhe të gjitha fushat për përshpejtuar rrugën e dy vendeve drejt BE-së.
Ndër të tjera shton se zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja do të përmirësojnë më tej jetën e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës
“Mandati juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses. Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejtë shtëpisë së përbashkët evropiane. Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkroi mes tjerash kryeministri Rama.
Duke uruar përparim të gjithanshëm të Republikës së Kosovës, Rama ftoi Kurtin për vizitë në Shqipëri./k.m

