Last Updated on 31/08/2026 by Anisa
Partia Socialiste do të mbledhë të enjten, më 3 shtator, Grupin Parlamentar dhe qeverinë në kuadër të diskutimeve për “Praninë Besnike”.
Mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar do të zhvillohet në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave.
Njoftimi për mbledhjen u është dërguar deputetëve socialistë nga administrata e grupit parlamentar.
Takimi pritet të shërbejë për diskutimin e çështjeve që lidhen me “Praninë Besnike”, ndërsa mbledhja do të zhvillohet në një moment kur mazhoranca po përgatitet për zhvillimet e reja politike të sesionit parlamentar.
“Prania Besnike” është një koncept i prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama në kuadër të një faze të re të organizimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste. Sipas Ramës, ideja synon një prani më të vazhdueshme të strukturave të PS-së në terren, përtej periudhave elektorale, me fokus te kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi i problematikave të tyre.
Koncepti parashikon një angazhim më të madh të deputetëve, drejtuesve politikë dhe strukturave vendore për të qenë pranë komuniteteve, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’i përcjellë ato pranë institucioneve. Rama e ka lidhur këtë qasje me parime si besnikëria, korrektësia, solidariteti dhe përkushtimi ndaj qytetarëve.
