Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave dhe kërkesave për shfuqizimin e Paketës së Maleve, duke theksuar se nisma nuk synon shitjen e maleve, por krijimin e mundësive për zhvillimin ekonomik të pronave të trashëguara në zonat malore.
Në një lidhje live në rrjetet e tij sociale, Rama tha se paketa është hartuar pas një procesi të gjatë konsultimesh dhe synon t’u japë zgjidhje qytetarëve që prej vitesh nuk kanë mundur ta kthejnë pronën e tyre në një aset financiar.
Sipas kreut të qeverisë, përfitues do të jenë banorët që kanë trashëguar prona në zonat malore, si edhe ata që zotërojnë pemëtore apo sipërfaqe bujqësore, por që për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitet ekonomik.
“Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që kanë trashëguar një pronë dhe për njerëzit që prej vitesh mirëmbajnë pemëtore apo toka, por nuk kanë mundur të pajisen me dokumentet e nevojshme. Me këtë paketë ata mund të marrin leje për të zhvilluar aktivitete agropërpunimi”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ka pasur interes të lartë nga emigrantët shqiptarë për të investuar në zonat malore, duke e lidhur këtë me rritjen e rolit të turizmit në ekonominë e vendit.
Ai argumentoi se Paketa e Maleve është një politikë në mbështetje të së drejtës së pronës dhe zhvillimit ekonomik, duke u dhënë mundësi pronarëve që pronat e tyre të krijojnë vlerë.
Duke iu referuar kërkesave të protestuesve për anulimin e paketës, Rama tha se një vendim i tillë do t’i linte mijëra pronarë pa mundësinë për të zhvilluar pronat e tyre.
“Ç’do të thotë të anulohet Paketa e Maleve? Do të thotë që këta njerëz të mbeten pezull. Nuk kam parë komunitetet që preken nga kjo paketë të thonë se po u merren pronat. Përkundrazi, ata e presin me interes. Kjo është rezultat i shumë bisedave dhe përpjekjeve, nuk është një nismë që lindi brenda një dite”, deklaroi ai.
Në fund, Rama hodhi poshtë akuzat se Paketa e Maleve përbën një “akt tradhtie”, duke ironizuar kritikat ndaj tij.
“Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Unë tradhtar? Kjo është një temë tjetër”, përfundoi kryeministri./ad
