Last Updated on 17/02/2025 by adminfjala
Bashkimi Evropian duhet të veprojë më shpejt për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të forcojë pozitat e tij ekonomike për të qenë konkurrues në skenën globale. Kështu është shprehur nga Mynih kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë.
Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësime mbi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit, duke theksuar se ritmi aktual i afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në mbetet shumë i ngadaltë. Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Rama kërkoi që Brukseli të ndërmarrë hapa konkretë për të përshpejtuar këtë proces, duke mos e kufizuar integrimin vetëm në aspektin ekonomik.
Sipas kryeministrit shqiptar, edhe pse qëndrimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar, progresi mbetet i kufizuar. “Europa duhet të ndajë mendjen për atë që po ndodh. Është e vërtetë që ka ndryshuar qëndrimi ndaj nesh, si dhe ritmi i afrimit me Bashkimin Evropian, por ky ndryshim po ndodh shumë ngadalë dhe shumë pak. Mund të flasim pafund për procesin e bazuar në meritë, por ka ardhur koha për një ndarje të qartë: ky proces duhet të vlejë për të drejtën e votës në Këshillin Evropian, jo për përjashtimin e vendeve nga tregu i përbashkët,” u shpreh Rama. Ai theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një aspiratë e vendeve të rajonit, por edhe një domosdoshmëri për vetë Bashkimin Evropian. “Ne jemi mësuar të mbijetojmë, ne jemi mbijetues. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të vazhdojmë të jemi këtu, prandaj dhe kemi debate me grekët për të përcaktuar se kush është më i vjetri në këtë kontinent. Kemi parë shumë zhvillime, kemi parë fuqitë e mëdha të vijnë e të largohen. Nëse BE-ja dëshiron të dalë nga këto kriza dhe të ketë një të ardhme të qëndrueshme, duhet të bashkohet si Europë,” shtoi ai. Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu ironitë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama tha se kur vendi ynë nisi këtë proces, ai ishte pa thinja. Ndërsa duke komentuar fjalimin e zv.Presidentit të SHBA-së, JD Vance, edhe pse nuk e përmendi me emër, kreu i qeverisë shqipatre u shpreh se Netilx do të duhej të bënte dy seriale, një për BE-në duke thënë se do ishte pacienti me 27 mjekë, por njëri u çmend dhe u largua (Britania e Madhe) dhe SHBA do të ishte shfaqja me një sherif. “Kur ne nisëm këtë proces i kisha të gjitha flokët e zeza dhe mjekrën shumë herë më të shpeshtë, por duke qenë një dashamires i Netflix, do të thoja që pas asaj çfarë kam parë këto dy ditë nën këtë çati, ishte e jashtëzakonshme dhe për këtë Netflix mund të bëj dy seriale; një për BE dhe një për SHBA. Ai për BE-në do të ishte pacienti me 27 mjekë, ishin 28, por njëri u çmend dhe u largua nga spitali. SHBA-ja do ishte shfaqja me një sherif. Ajo çfarë po ndodh mendoj është një gjë jashtë mase e mirë, se paku sepse e shoh nga ajo pjesë e Europës që nuk është BE. Ne jemi E pa B. I shohim gjërat pak të ndryshme. Europa duhej të shkundej në një mënyrë të tillë, që të humbte gjumin për ca kohë dhe tashmë të shohim çfarë do të dalë nga kjo”, tha Rama
Rikthimi i Trump
Kryeministri shqiptar gjithashtu foli për marrëdhëniet transatlantike dhe ndikimin që mund të ketë një rikthim i Donald Trump në presidencën e SHBA-ve. Ai e cilësoi këtë si një “bekim” për Evropën, duke argumentuar se mund të shërbejë si një alarm për BE-në që të marrë në dorë fatin e saj. “Zgjedhja e Trump është akti më bujar i Zotit për t’i dhënë një shans Europës të zgjohet. Europa duhet të kuptojë se nuk mund të jetë kaq vetëreferente dhe të mbështetet pafundësisht tek SHBA-ja për mbrojtjen dhe sigurinë e saj,” deklaroi Rama. Në përfundim, mesazhi i Ramës nga Mynihu ishte i qartë: Bashkimi Evropian duhet të veprojë më shpejt për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të forcojë pozitat e tij ekonomike për të qenë konkurrues në skenën globale. Ai apeloi për një vizion më të qartë nga Brukseli dhe vendime më të guximshme që do të përshpejtojnë afrimin e rajonit me BE-në, duke shmangur burokracitë e tepërta që po e vonojnë këtë proces.
BE mund t’i sjellë vendet kandidate në BE, jo SHBA
Bashkimi Europian mund t’i sjellë vendet kandidate në BE dhe jo SHBA. Kështu u shpreh Marta Kos, Komisionere për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin në konferencën e Mynihut në panelin me kryeministrin Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickosk. Në fjalën e saj Kos theksoi se sot BE e ka fokusin te siguria dhe paqja në një kohë ku sipas saj kërcënohet nga forca të jashtme. “Zgjerimi sot nuk ndikohet vetëm nga ajo që po bën SHBA, por nga gjeopolitika, kemi situatë të veçantë kemi forca të jashtme që na përçajnë dhe duan të na shohin të dështojmë. Bashkimi i Europës po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm. Kur vendi im u bë anëtar e pamë me syzet ekonomike. BE u krijua për paqe, liri, siguri e prosperitet. Tani kthehemi te siguria dhe paqja. Zgjerimi mund të jetë elementi më i rëndësishëm i garancisë së sigurisë. Ka një arsye pse vendet duan të bëhen pjesë e BE dhe jo e SHBA. Ka prirje nga veriu i Europës dhe vende që janë në zonën ekonomike europiane që të kthehen”. Sipas komisioneres, BE po punon me ritme më të shpejta për të përmbyllur deri në vitin 2027 anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të zi, por theksoi se duhet edhe vullneti politik i shteteve anëtare. “Po punojmë dy-tre herë më shpejt seç punohet në BE. Na duhet të bëjmë dallime mes çështjeve teknike e politike. Për çështjet teknike mbyllim në 2026 -2027 me malin e zi e Shqipërinë, për pjesën politike se asnjë hap nuk mund të ndërmerret pa vullnetin e shteteve anëtare duhet të flasim me shtetet anëtare. Duhet vërtet të flasim me shtete anëtare për atë çka mund të bëjmë. Është ajo e bazuar në meritë, pjesa teknike, por edhe gjeopolitika luan një rol të rëndësishëm. Disa njerëz shohin mospërputhje midis procesit të bazuar në meritë dhe gjeopolitikës apo midis vlerave dhe procesit ekonomik. Në këndvështrimin tim mund të bëjmë shumë më tepër nëse e marrin seriozisht këtë situatë. BE mund t’i sjellë vendet kandidate në BE dhe jo SHBA”.