Last Updated on 17/02/2025 by adminfjala
Kreu i PD-së, Sali Berisha do të paraqitet të hënën në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së. Ndërkohë Partia Demokratike, në një mesazh shpërndarë struktruave të saj, ka kërkuar mobilizim për kryedemokratin. Theksohet se nuk do të ketë protestë, por vetëm mobilizim.
Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet të hënën në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, ku Berisha akuzohet për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv gjatë kohës që ishte kryeministër. Vendimi për “detyrim paraqitjeje” ndaj Berishës u dha nga Apeli i GJKKO-së pas një beteje ligjore të gjatë. Në bazë të këtij vendimi, Berisha duhet të paraqitet pranë SPAK dy herë në muaj, konkretisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Ky vendim erdhi pas kërkesës së prokurorisë, e cila argumentoi se Berisha nuk mund të mbetej jashtë një mase sigurie për shkak të rëndësisë së hetimeve dhe akuzave të ngritura ndaj tij. Kryedemokrati do të duhet që të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, ekzaktësisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Protesta para SPAK
Ndërkohë, vetë Berisha ka bërë thirrje për një tubim para GJKKO-së kur të dalë para trupës gjyqësore. Ai e ka cilësuar procesin ndaj tij si tërësisht politik dhe ka akuzuar mazhorancën dhe institucionet e drejtësisë për veprime të orkestruara. “Ky është një proces i montuar politikisht nga Edi Rama dhe një drejtësi e kapur. I bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe qytetarëve që besojnë në lirinë dhe demokracinë, të bëhen bashkë për të kundërshtuar këtë padrejtësi”, ka deklaruar Berisha. Paraqitja e Berishës në SPAK dhe vendimi i Apelit të GJKKO-së për të mbajtur në fuqi masën e sigurisë, vjen në një moment të tensionuar politik në Shqipëri. PD, nën drejtimin e Berishës, ndodhet në një betejë të hapur me mazhorancën socialiste dhe me sistemin e drejtësisë së re. Nga ana tjetër, Berisha ndodhet në një përballje të vazhdueshme edhe me grupimin e drejtuar nga Lulzim Basha, i cili e ka akuzuar atë për bllokimin e procesit të reformimit të partisë. Në arenën më të gjerë politike, hetimet e SPAK ndaj figurave të rëndësishme të politikës shqiptare po shënojnë një fazë të re, ku për herë të parë, një ish-kryeministër shqiptar është subjekt i një mase sigurie të tillë. Kjo ka ngjallur reagime të forta si brenda vendit, ashtu edhe në komunitetin ndërkombëtar.
Veliaj publikon fotot e shtëpisë në Qerret: Provat që ka qenë e vjehrrit tim, pse s’do e deklaroja po ta kisha?
Kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka reaguar lidhur me detajet që publikohen në dosjen e tij të hetuar nga SPAK. Edhe dje ai ka bërë një reagim nga burgu i Durrësit ku tregon me një foto se shtëpia në Qerretr nuk është e tij, por e vjehrrit të tij. Veliaj nuk ka kursyer ofendimet dhe akuzat për prokurorin Ols Dado, me të cilin ka replikuar në reagim.“Të dashur miq e dashamirës, Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, qytetar model, një njeri i letrave trashëguar prej Jakovit, profesor, drejtues i RTSH-së, botues i Botimeve Enciklopedike dhe sipërmarrës i suksesshëm pas viteve ’90. Këtë muaj do duhej ta përkujtonim me respekt, por me vendim të ndërtuesit noter Olsi Dado, po persekutohet edhe në atë botë! Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret – të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën – nuk është në fakt e tija, por e imja”, ka shkruar Veliaj. Ai ngre pyetje se me çfarë provash, prokurori i çeshtjes Ols Dado. “Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt? Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është? Ndjesë pastë, aty është edhe Ganimet Vendresha, gjyshja e ndjerë, ish primabalerina e parë në TOB te shfaqja ‘Halili & Hajria’. Bashkë me ta, sopranoja e pianistja e njohur, duke drekuar!”, shkruan Veliaj. Kryebashkiaku vijon ti mëshojë perversitetit të Ols Dados lidhur me fustanin e gruas së tij. “Në fund, ky prokuror pervers, që sillet si hasani i grave të botës, ka fuqinë të ta fyejë inteligjencën në mënyrën më mbresëlënëse! Beni vërtet s’jeton më, por të paktën ju kursyen ditët kur drejtësia ka përfunduar në llogjikën njëqelizore të një parameci funksional! Një të dielë plot diell e dashuri për të gjithë!”, thuhet në reagimin e Veliajt.