Last Updated on 03/07/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, morën pjesë këtë të premte në ceremoninë e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri në dukje interesin e lartë të të rinjve për t’u bërë pjesë e forcave ajrore, duke shtuar se ky institucion i ri do të jetë i hapur edhe për stërvitjen e certifikimin e pilotëve të vendeve aleate të NATO-s në rajon.
Rama njoftoi se Shqipëria po rrit kapacitetet e saj për përballimin e emergjencave civile dhe sezonit të zjarreve, ku së shpejti pritet të mbërrijnë helikopterë të tjerë “Black Hawk” nga SHBA.
“E kemi nisur këtë përpjekje me një vështirësi të jashtëzakonshme për të afruar të rinjtë, por sot është gjithnjë e më e vështirë të zgjedhësh mes shumë kandidaturave që vijnë. Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish.
Ministri jonë do kërkojë nga homologu i Kosovës nëse ka interes për të stërvitur pilotët e Kosovës. E njëjta gjë edhe për dy vendet e tjera fqinje, anëtare të NATO-s.
Jemi gati edhe për të përballuar sfidën e përvitshme ku beteja me zjarrin është e pashmangshme. Po punohet për t’i shtuar kapacitetet për sezonin. Një numër tjetër “Black Hawk” nga SHBA do t’i shtohet këtyre forcave. Ky është njëri hap. Hap tjetër është shkolla kombëtare e forcave speciale. Do të mirëpresë kadetë nga vendet aleate. Të dyja këto pole të reja të edukimit dhe transformimit të kthehen në pole ekselence. Dua t’i uroj sukses forcës ajrore. I siguroj forcat detare se buzëqeshja e tyre do shtrihen më tutje, me ndërtimin e anijeve në Pashaliman. Do hapim dyert e një tjetër investimi të përbashkët me KAYO për dronet që do të ndërtohen dhe do eksportohen nga Republika e Shqipërisë, pasi të kemi plotësuar nevojat e FA”, u shpreh ai./ad
