Last Updated on 03/11/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë detaje nga takimi, duke u shprehur se bisedat me kreun e NATO-s janë gjithmonë të veçanta. Ai e cilësoi Rutte si një njohës të Europës dhe një vëzhgues të vëmendshëm të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimit ka marrë vlerësime për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe për angazhimin e vendit në përmbushjen e detyrimeve si anëtar i NATO-s.
Rama ka falënderuar gjithashtu Rutte për vlerësimet dhe inkurajimin ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar takimin një mundësi për të diskutuar angazhimet e vendit në kuadër të Aleancës.
Në njoftimin e NATO-s ishte bërë e ditur se takimi do të zhvillohej pa një dalje publike për mediat.
Postimi i Edi Ramës:
“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë. Kënaqësi për fjalët vlerësuese dhe inkurajuese për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s”./mxh
