Last Updated on 03/03/2026 by Anisa
Ka përfunduar pas rreth 30 minutash mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zgjedhjet e brendshme në parti, organizimi në terren dhe situata politike.
Kryeministri dhe njëherësh kryetari i PS, Edi Rama, mësohet të jetë shprehur se fokusi kryesor në javët në vijim do të jetë dialogu me bazën socialiste dhe forcimi i strukturave në bashki të caktuara.
Gjatë diskutimeve në Kryesi, kreu i qeverisë ka theksuar gjithashtu nevojën për kujdes dhe përgatitje përballë pasojave të mundshme të krizës ekonomike, si rrjedhojë e zhvillimeve dhe luftës në Lindjen e Mesme.
“Ta shtrimë dialogun me bazën dhe të përqendrohemi në bashki të caktuara. Të forcojmë bashkëpunimin me bazën socialiste dhe të jemi të përgatitur për çdo pasojë ekonomike që mund të prodhojë lufta në Lindjen e Mesme”, është shprehur Rama në mbledhje.
Mbledhja e socialistëve vjen vetëm pak ditë pas takimit të Grupit Parlamentar të PS, ku Rama vendosi të ndërmarrë ndryshime të thella në kabinetin qeveritar, duke zëvendësuar gati gjysmën e ministrave.
Ndërkohë, një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim kryeministrin Rama. Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë i paraqiti Presidentit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar, në kuadër të ristrukturimit të qeverisë./A.D
