Gazetari i njohur italian Sigfrido Ranucci nuk do të jetë më në krye të emisionit investigativ “Report”. Rai ka vendosur që nga sezoni i ardhshëm drejtimi i programit t’u besohet dy emrave të rinj, Giulia Presutti dhe Daniele Piervincenzi, duke hapur një përplasje të menjëhershme me ekipin historik të emisionit.
Vendimi është zyrtarizuar nga Rai, i cili e ka paraqitur ndryshimin si fillimin e një etape të re për “Report”. Presutti dhe Piervincenzi janë përzgjedhur përmes konkursit të kompanisë dhe, sipas Rai-t, sjellin eksperiencë të konsoliduar në gazetarinë televizive dhe atë investigative.
Ndërkohë, Ranuccit i janë ofruar alternativa të tjera brenda Rai-t. Sipas ANSA-s, gazetari mund të vijojë aktivitetin e tij në RaiNews, Tg3 ose në një zyrë korrespondence jashtë Italisë.
Kush janë dy drejtuesit e rinj?
Giulia Presutti është një prej gazetareve të njohura të “Report”, ku prej vitesh ka punuar si reportere në terren dhe është marrë me investigime mbi çështje me interes publik. Në konkursin e Rai-t për gazetarë profesionistë, ajo u rendit në vendin e parë.
Daniele Piervincenzi ka gjithashtu një përvojë të gjatë në gazetarinë investigative televizive. Ai ka qenë reporter dhe drejtues i “Nemo – Nessuno escluso” dhe “Popolo Sovrano”, programe në të cilat ka trajtuar problematika sociale, kriminalitetin dhe jetën në periferi.
Piervincenzi është bërë i njohur edhe për një episod të rëndë të vitit 2017, kur u sulmua fizikisht në Ostia gjatë realizimit të një investigimi.
Ranucci: “Nuk është një lamtumirë”
Reagimi i Ranuccit ndaj vendimit ka qenë i fortë. Gazetari tha se e kishte mësuar përmes ANSA-s se Rai nuk do ta linte më në drejtimin e “Report”, duke e lidhur vendimin me klimën e kritikave dhe polemikave që kanë shoqëruar punën e tij gjatë muajve të fundit.
“E imja nuk është një lamtumirë. Nuk do të drejtoj ‘Report’, por do të drejtoj betejën më të rëndësishme të jetës sime për lirinë e shtypit”, deklaroi Ranucci.
Rai, nga ana tjetër, ka theksuar se propozimet e bëra për Ranuccin janë në përputhje me profilin dhe eksperiencën e tij profesionale dhe synojnë të sigurojnë vazhdimësinë e karrierës së gazetarit brenda kompanisë.
Megjithatë, ndryshimi ka shkaktuar pakënaqësi të madhe brenda redaksisë së “Report”. Gazetarët e programit kanë dalë publikisht kundër vendimit dhe kanë kundërshtuar mënyrën se si është marrë ai.
Sipas tyre, ekipi nuk është konsultuar përpara vendimmarrjes dhe dy emrat e zgjedhur për drejtimin e ri nuk përfaqësojnë historinë dhe identitetin e programit.
“Nëse Rai nuk tërhiqet, largohemi të gjithë”
Përplasja ka shkuar edhe më tej. Gazetarët kanë paralajmëruar se mund të largohen në bllok nga “Report” nëse Rai nuk e ndryshon vendimin.
“Vendimi i marrë nga Rai është për ne plotësisht i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e reporterëve, të cilët kanë shprehur shqetësimin për të ardhmen e programit.
Në deklaratë, ata shprehen se nëse kompania nuk tërhiqet, do të zgjedhin largimin kolektiv nga programi, duke e konsideruar vendimin si një kërcënim ndaj historisë dhe integritetit të “Report”.
Mes gazetarëve që kanë firmosur deklaratën janë Giorgio Mottola, Bernardo Iovene, Paolo Mondani, Giulia Innocenzi, Daniele Autieri, Danilo Procaccianti, Luca Bertazzoni, Walter Molino, Luca Chianca, Emanuele Bellano dhe Claudia Di Pasquale.
Vendimi i Rai-t e vendos kështu një prej emisioneve më të njohura investigative të televizionit italian në qendër të një përplasjeje të re, me ndryshimin e drejtimit, reagimin e ashpër të Ranuccit dhe kërcënimin e ekipit se do të largohet nëse vendimi nuk rishikohet./mxh
