Një grup në WhatsApp me qindra anëtarë është kthyer në një pikë kyçe për koordinimin e transfertave të mëdha të parave cash në Evropë dhe më gjerë. Sipas një hetimi investigativ të rrjetit të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU), ku përfshihet edhe BBC, platforma është përdorur për transaksione që dyshohet se kanë lidhje me pastrimin e parave, trafikun e drogës, kontrabandën e emigrantëve dhe financimin e ekstremizmit.
Grupi mbante emrin “Traders of Greater Europe” dhe kishte 532 anëtarë. Nga fundi i shkurtit deri në dhjetor 2022, në të u shkëmbyen më shumë se 82 mijë mesazhe, përmes të cilave koordinoheshin takime dhe dorëzime parash në qytete të ndryshme të Evropës dhe në vende të tjera të botës.
Transaksionet nisnin zakonisht nga shuma mbi 5 mijë euro, por në disa raste bëhej fjalë për shifra shumë më të larta. Londra dhe Birmingham ishin ndër qytetet ku organizoheshin këto lëvizje parash.
Nga WhatsApp-i te financimi i ISIS
ADVERTISING
Rasti doli në dritë gjatë një hetimi të autoriteteve belge për financimin e terrorizmit. Hetuesit zbuluan se disa prej personave të përfshirë në rrjet dyshohet se kishin dërguar para te militantë të Shtetit Islamik në Siri.
Sipas hetimit, fondet mund të ishin përdorur për të ndihmuar gratë e militantëve të largoheshin nga kampet e paraburgimit në Siri.
Një prej personave që konsiderohej si drejtues i rrjetit, i njohur me pseudonimin Abu Adam, u arrestua në Belgjikë. Në telefonin e tij u gjetën prova të rëndësishme për mënyrën se si funksiononte skema.
Në pajisje u zbuluan rreth 6 mijë fotografi të kartëmonedhave 5-euroshe, ku shfaqeshin numrat serialë, si dhe rreth 6 mijë fotografi të dokumenteve të identifikimit. Sipas hetuesve, këto materiale shërbenin për të regjistruar dhe gjurmuar transaksionet e kryera jashtë sistemit tradicional bankar.
Në vitin 2024, gjashtë persona u dënuan në Belgjikë për pastrim parash, mes tyre Abu Adam dhe bashkëpunëtori i tij Abu Ahmed.
Sistemi “hauala”
Në qendër të këtij mekanizmi ishte sistemi i njohur si “hauala”, një mënyrë tradicionale transferimi parash që funksionon përmes një rrjeti ndërmjetësish të besuar.
Në vend që paratë të dërgohen drejtpërdrejt nga një bankë në tjetrën, një ndërmjetës merr shumën cash nga dërguesi, ndërsa një tjetër në një vend tjetër i dorëzon shumën përkatëse marrësit. Më pas, borxhet mes ndërmjetësve shlyhen në forma të tjera.
Hauala përdoret edhe në mënyrë krejtësisht të ligjshme, veçanërisht nga emigrantët që u dërgojnë para familjeve të tyre në vende ku sistemi bankar është më pak i aksesueshëm.
Problemi qëndron te fakti se transaksionet e tilla mund të lënë më pak gjurmë financiare sesa transfertat tradicionale bankare. Kjo i ka bërë ato tërheqëse edhe për organizatat kriminale.
Miliona euro në pak orë
Një ish-pastrues parash, i identifikuar nga hetuesit me pseudonimin “Frank”, tregoi se kishte marrë pjesë në operacione ku qarkullonin qindra miliona euro.
Ai përshkroi edhe një rast në Holandë, ku brenda rreth 90 minutash disa korrierë sollën shuma të mëdha cash në një zyrë. Në fund, u transferua një shumë prej të paktën një milion eurosh.
Sipas dëshmisë së tij, sistemi shërbente përtej transfertave të zakonshme dhe ishte përdorur edhe për financimin e trafikut të drogës, prostitucionit, terrorizmit dhe veprimtarive të tjera kriminale.
Lidhjet me trafikimin e emigrantëve
Hetimet në Austri kanë zbuluar një tjetër përdorim të sistemit: financimin e rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve.
Në Vjenë, policia bastisi një zyrë që e konsideronte ndër më të mëdhatë në vend për aktivitetin e hauala-s. Operacioni funksiononte nga një restorant kebab dhe, sipas autoriteteve, përdorej për pagesa të lidhura me trafikimin dhe kontrabandën e njerëzve.
Dy vëllezër sirianë që drejtonin aktivitetin u akuzuan për trafikim njerëzish. Ata u përballën gjithashtu me akuza për torturimin dhe përdhunimin e një korrieri, i cili kishte humbur 350 mijë euro.
Të dy u dënuan vitin e kaluar me 18 dhe 8 vite burg.
Paratë dhe dhuna
Në një tjetër hetim, policia austriake dhe Europol goditën një rrjet kontrabandistësh që përdorte sistemin hauala për të financuar aktivitetin e tij. Sipas autoriteteve, rrjeti kishte transportuar rreth 100 mijë persona drejt Evropës brenda 18 muajve.
Gerald Tatzgern, drejtues i hetimeve për trafikimin e qenieve njerëzore në Shërbimin Austriak të Inteligjencës Kriminale, tha se disa prej këtyre rrjeteve e kanë kthyer dhunën në një pjesë të modelit të tyre të biznesit.
Familjeve të emigrantëve u dërgoheshin video ku shfaqeshin viktima duke u torturuar dhe më pas kërkoheshin mijëra euro për t’i dhënë fund dhunës. Pagesat, sipas hetuesve, kryheshin përmes rrjeteve të hauala-s.
Europol e konsideron këtë mekanizëm një kanal të rëndësishëm që mund të përdoret nga grupet e krimit të organizuar për pastrimin dhe lëvizjen e parave.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se hauala nuk është në vetvete një aktivitet kriminal. Sistemi përdoret prej kohësh për transferta legjitime. Rreziku lind kur rrjetet kriminale shfrytëzojnë natyrën e tij informale dhe mungesën e gjurmëve të drejtpërdrejta bankare.
Hetimi mbi “Traders of Greater Europe” tregon se si një aplikacion i përditshëm komunikimi si WhatsApp mund të shndërrohet në një mjet koordinimi për një rrjet financiar ndërkombëtar, ku miliona euro mund të lëvizin nga një shtet në tjetrin pa kaluar përmes kanaleve tradicionale bankare./mxh
