Last Updated on 31/01/2026 by Leonard
Edhe pse janë krijuar për libra komikë, vizatimet e artistit – njëherazi të shthurura dhe qesharake – mbi neurozat e veta dhe mbi “glamazona” me çizme deri në kofshë, janë befas fuqishëm tronditëse kur vendosen në muret e një galerie.
Eddy Frankel
Është shqetësuese të hysh në një galeri dhe të shohësh frikërat dhe ankthet e tua më të thella të shtrira hapur mbi mure, por pikërisht kjo është fuqia e Robert Crumb-it. Prej më shumë se gjysmë shekulli, ky artist i dobët, i çuditshëm, i vështirë dhe në mënyrë të sikletshme i fiksuar pas seksit (sot në të tetëdhjetat), ka prodhuar pa pushim komikë “underground” që zhveshin neurozat e tij më intime – dhe, në të njëjtën kohë, t’i kthejnë ato pasqyruar lexuesit.
Tani ai po festohet në një galeri londineze ultra-luksoze, me faqe të shkëputura nga blloqet e tij të shënimeve, të kornizuara si vepra arti të lartë. Vetëm se kjo nuk është “art i rafinuar”: është i ndyrë, i zemëruar dhe paranojak. Është Crumb klasik: burra të dobët që dridhen nga frika, ankthi dhe hormonet në një botë mizore, të pamëshirshme e pa kuptim – të mbushur, sigurisht, me gra gjigante me çizme deri në kofshë.

Punët më të mira janë më të thjeshtat, njëlloj batutash vizuale. Crumb e vizaton veten duke u shpëlarë në tualet, ndërsa në mur shkruhet me grafiti: “Ja ku jam ulur dhe s’po më ecën, u përpoqa të bëj jashtë dhe vetëm gazra nxora.” Dështim i mjerë dhe humor i trashë – ky është universi i Crumb-it. Në autoportrete të tjera, ai e ka tytën e një arme pas kokës së tij të madhe e qesharake, ose ankohet se askush s’mund ta kuptojë. “Ndoshta vetë-ndëshkim,” shkruhet në një vizatim, “ose ndoshta është e vërtetë!” Ai është një përzierje e tmerrshme, por jashtëzakonisht e identifikueshme, e vetë-urrejtjes së tejskajshme dhe arrogancës ekstreme.
Si të mos ishte kështu? Bota që ai sheh është e ndyrë, brutale dhe politikisht e ankthshme. Në një imazh, një alien vajton lakminë dhe mashtrimin e racës njerëzore. Një burrë i mjerë, me hundën që i rrjedh, qan: “E kam shkatërruar jetën time, jam i humbur.” Kudo sheh njerëz të lumtur e të shëndetshëm që injorojnë dhe përçmojnë krijesat e vogla, të torturuara dhe të çuditshme përreth tyre.
E vetmja ngushëllim vjen nga gratë: amazona gjigante, të mëdha e trupplota. Crumb i adhuron, i idhullizon, kapet dëshpërimisht pas këmbëve të tyre të trasha. Ai vetë është një tip i thyer e i mjerë, por këto gra janë diçka e mirë në botë, diçka e pastër. Në një vizatim gati të ëmbël, një burrë i vogël, tullac, me rrobë spitali, i thotë një glamazone gjigante se është shumë i lumtur dhe plot dashuri. “Çdo çast është domethënës!” shkruhet me germa të mëdha në qiell. Ku janë paranoia, mllefi dhe vetë-ndëshkimi? Janë zhdukur, me sa duket, sapo një bukuroshe del në horizont.
Poshtë janë ekspozuar kryesisht stampa nga një bllok shënimesh i viteve ’80; lart, kryesisht vizatime origjinale. Të drejtpërdrejta, qesharake, eksperimentale: ai ka një sy të shkëlqyer kompozicional, një mjeshtëri brilante të vijës dhe një stil absolutisht unik. Këtu lart ka edhe më shumë paranojë, edhe më shumë fiksim seksual – burra që ose shtrëngojnë organet e tyre gjenitale, ose shkulen nga flokët. Nuk ka mesatare: ose devijancë seksuale totale, ose ankth total. Çfarë jete.

Një portret i gruas së tij, Aline Kominsky-Crumb (edhe ajo një artiste e njohur e komikëve), duke notuar në Mesdhe, ndihet ndryshe. Nuk është i shthurur, as paranojak, as i ndyrë apo i ngarkuar – është thjesht plot dashuri, i pastër dhe i drejtpërdrejtë. Një çast i vogël gëzimi të papërlyer në një botë përndryshe mjaft të neveritshme.
Nuk jam i sigurt çfarë fitohet nga shikimi i shumicës së veprës së Crumb-it në një kontekst galerie, të kornizuar e të varur në mur, në vend që të lexohet e shtypur në një botim. Në rastin më të mirë, kjo të jep kohë dhe hapësirë për të soditur çdo imazh veçmas, për ta marrë secilin si një objekt të rëndësishëm e të ngritur, dhe jo thjesht si një faqe tjetër ankthi në një varg të gjatë faqesh ankthi. Në rastin më të keq, shkatërron përvojën e leximit, duke minuar qëllimin dhe formatin origjinal. Imazhet më narrative, më tipike të komikut, nuk funksionojnë aq mirë të varura në mur. Crumb padyshim e meriton të ekspozohet në një galeri elegante të Mayfair-it, por po aq e vërtetë është se nuk ka asgjë të keqe me librat komikë. Ata janë të lirë, të lehtë, të ndyrë dhe të vërtetë – njësoj si Crumb.
Sido që të jetë, Crumb mbetet unik dhe jashtëzakonisht qesharak. “Nuk ka fund marrëzisë,” shkruhet me germa të mëdha në një mur poshtë – dhe le të shpresojmë që vërtet të mos ketë. Sepse kur marrëzia është e Crumb-it, ajo është tmerrësisht brilante.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
