Korriku shënoi një rekord historik në importet e karburanteve në Shqipëri, me rreth 75.800 tonë naftë të importuar, sasia më e lartë mujore e regjistruar të paktën që prej vitit 2000.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë muajit korrik në vend hynë 75 mijë e 779 tonë naftë. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, importet u rritën me rreth 4.800 tonë, ose 7 për qind.
Rekordi i korrikut vjen në një kohë kur importet e karburanteve në total janë në rënie. Në shtatë muajt e parë të vitit u importuan rreth 408 mijë tonë karburant, rreth 8 mijë tonë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që përbën një rënie prej rreth 2 për qind.
Kontrasti bëhet edhe më i fortë po të merret në konsideratë çmimi i naftës. Në muajin korrik, çmimi kaloi nivelin e 200 lekëve për litër, ndërsa në gusht arriti deri në 219 lekë për litër.
Kështu, muaji kur çmimi i naftës u rrit ndjeshëm shënoi njëkohësisht edhe nivelin më të lartë të importit të karburanteve të regjistruar ndonjëherë në Shqipëri.
Megjithatë, importi nuk është i njëjtë me konsumin. Aktualisht nuk ka të dhëna publike që tregojnë se sa nga këto 75 mijë e 779 tonë karburant u konsumuan gjatë muajit korrik dhe sa prej tyre u futën në stok./mxh
