Last Updated on 10/05/2026 by Kesjana
Riviera Shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare të turizmit, të cilat e rendisin bregdetin e Shqipërisë mes destinacioneve më të bukura dhe ende të pazbuluara të Evropës.
Në një shkrim të publikuar nga revista amerikane e udhëtimeve “Travel + Leisure”, autorja Ada Calhoun e përshkruan rivierën shqiptare si një alternativë më të përballueshme ndaj Côte d’Azur në Francë, duke vlerësuar plazhet me ujëra të kthjellëta, fshatrat prej guri dhe trashëgiminë e pasur historike të zonës.
Gjatë një udhëtimi një-javor në Himarë, ajo rrëfen se është mahnitur nga peizazhet natyrore, mikpritja vendase dhe qetësia që ofron zona jashtë sezonit turistik.
Plazhin e Livadhit ajo e cilëson si një nga më të veçantët në rivierë, me guralecë të bardhë, ujëra të pastër kristal dhe kodra të mbuluara me ullinj.
Në artikull përshkruhet edhe rruga panoramike përmes Qafës së Llogorasë, e cilësuar si një nga segmentet më mbresëlënëse, me pamje të jashtëzakonshme mbi detin Jon dhe pyjet me pisha.
Gjatë qëndrimit të saj, Calhoun viziton edhe Himarën e Vjetër, ku eksploron rrënoja antike dhe kisha historike, përfshirë Kishën e Shën Sergjit dhe Shën Bakut.
Ajo ndalet gjithashtu në restorante tradicionale familjare, ku provon gatime tipike shqiptare si djathi i skuqur me mjaltë, peshk i freskët dhe rakia vendase.
Një tjetër ndalesë është Qeparoi i Sipërm, një fshat karakteristik me shtëpi guri dhe rrugica të ngushta, që sipas autores ruan ende atmosferën autentike të Shqipërisë së dikurshme.
Artikulli vë në pah edhe nismat për restaurimin e banesave tradicionale dhe shndërrimin e tyre në bujtina turistike.
Në fokus është edhe Butrinti, qyteti antik i mbrojtur nga UNESCO, i njohur për shtresëzimet e tij historike greke, romake, bizantine dhe veneciane.
Përveç bukurive natyrore dhe trashëgimisë kulturore, artikulli thekson edhe kostot më të ulëta të pushimeve në Shqipëri krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare, gjë që po e bën rivierën shqiptare gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj.
Në përfundim, autorja e përshkruan eksperiencën në Shqipëri si çlodhëse dhe rigjeneruese, duke thënë se është larguar me ndjesinë e qetësisë dhe dëshirën për t’u rikthyer sërish./kb
