Rihanna ka një arkiv të tërë me muzikë të papublikuar, ndërsa fansat vijojnë të presin rikthimin e saj me një album të ri. Këngëtarja e njohur ka zbuluar së fundmi se ka regjistruar të paktën 170 këngë që ende nuk janë publikuar.
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë për Fenty Beauty, Rihanna bëri një krahasim mes arkivit të saj muzikor dhe produkteve të bukurisë, duke lënë të kuptohet se materiali i regjistruar ndër vite është shumë më i madh nga sa mund të imagjinojnë fansat.
“Nëse në një arkiv ka 10 produkte, atëherë unë kam të paktën… të paktën, TË PAKTËN 17 arkiva”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se ka një numër të konsiderueshëm këngësh të papublikuara.
Ky koment ka rikthyer vëmendjen te pritja e gjatë për muzikën e re të artistes. Kanë kaluar rreth 10 vite që nga publikimi i albumit të saj të fundit, Anti, në vitin 2016, dhe fansat ende shpresojnë për një album të ri.
Pavarësisht se Rihanna nuk ka zbuluar se kur do të publikojë projektin e saj të ardhshëm muzikor, deklarata e saj ka shtuar kuriozitetin për materialet që mund të fshihen në arkivin e saj.
Duket se këngëtarja ka shumë muzikë për të ndarë me publikun, por mbetet për t’u parë se kur do të vendosë t’i japë fund kësaj pritjeje të gjatë./mxh
