Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka pranuar Letrat Kredenciale te Ambasadores së re të Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard.
Pasi i uroi mirëseardhjen Ambasadores Holmsgaard, Begaj e cilësoi rihapjen e ambasadës daneze në Tiranë si shprehje të vullnetit të Danimarkës për të thelluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Gjatë këtij takimi, presidenti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e institucioneve demokratike dhe reformave në Shqipëri.
Begaj i përcolli gjithashtu ambasadores, mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe u riafirmua angazhimi i përbashkët për sigurinë Euroatlantike./k.m
