Rita Ora ka folur sërish për një nga thashethemet më të bujshme që e ka shoqëruar prej vitesh. Bëhet fjalë për spekulimet se këngëtarja shqiptare ishte personi i referuar si “Becky me flokët e bukur” në këngën “Sorry” të Beyoncé, pjesë e albumit “Lemonade”, publikuar në vitin 2016.
Në atë periudhë, emri i Ritës u përfshi në teoritë e fansave, veçanërisht pas disa detajeve që u interpretuan si “shenja”. Pak kohë pasi u largua nga label-i i Jay-Z për të vijuar karrierën me Atlantic Records, Rita publikoi në Snapchat një fotografi ku shfaqej me një veshje me motive limoni dhe një varëse me shkronjën “J”.
Por kjo nuk ishte e vetmja gjë që ndezi dyshimet. Në një festë pas Met Gala-s, ajo u fotografua me një karficë ku shkruhej “Not Becky”, një detaj që vetëm sa i shtoi më shumë vëmendjen historisë.
Rita Ora i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, ndërsa vite më vonë ka vendosur të flasë sërish për mënyrën se si ky thashethem u lidh me emrin e saj.
“Nuk e di kush e nisi gjithë atë dramë me Becky-n, por do të doja shumë ta zbuloja. Gjithmonë përfundon duke u vënë një grua përballë një gruaje tjetër dhe mund të jesh e sigurt se asnjëra prej nesh nuk kishte asgjë për të fituar nga kjo”, është shprehur këngëtarja.
Në përpjekje për t’i dhënë fund spekulimeve për një konflikt të mundshëm mes saj dhe Beyoncé, Rita pozoi më vonë për një selfie me yllin amerikan. Fotografia u shoqërua me një mesazh të thjeshtë, por domethënës: “Familja”.
Pavarësisht se kanë kaluar vite nga publikimi i “Lemonade”, historia e “Becky”-t vazhdon të mbetet një nga teoritë më të diskutuara nga fansat e Beyoncé./mxh
