Kendall Jenner duket se po përjeton një histori dashurie krejt ndryshe nga ato që ka pasur më parë. Marrëdhënia e saj me aktorin australian Jacob Elordi po merr gjithnjë e më shumë një drejtim serioz, aq sa modelja thuhet se e imagjinon atë edhe në rolin e bashkëshortit.
Sipas një burimi pranë 30-vjeçares, të cituar nga Page Six, Kendall për herë të parë po e mendon seriozisht mundësinë e martesës me partnerin e saj.
“Kendall e sheh vërtet Jacob-in si bashkëshort”, ka deklaruar burimi. Sipas tij, ndonëse modelja ka pasur më parë lidhje të rëndësishme me persona të njohur, këtë herë ndjesia është krejt tjetër.
“Ajo ka pasur lidhje serioze dhe ka takuar djem të mrekullueshëm, por kjo është hera e parë që mendon se mund të martohet me personin që ka në krah”, ka shtuar burimi.
Një tjetër element që e bën këtë marrëdhënie të veçantë për Kendall-in është fakti se ajo nuk ka ndjekur kurrë idenë se duhet të martohet thjesht sepse ka arritur një moshë të caktuar. Përkundrazi, gjithmonë ka preferuar që një hap i tillë të vijë natyrshëm.
Dhe duket se pikërisht këtë ndjesi po i jep Jacob-i. Aktori 29-vjeçar përshkruhet si një person i qetë, i pjekur dhe i qëndrueshëm, cilësi që thuhet se i kanë bërë shumë mirë modeles.
“Kendall ndihet sikur ka gjetur dikë që e kupton, e mbështet dhe është në të njëjtin nivel me të. Kur është pranë Jacob-it, ajo duket shumë më e qetë dhe në paqe”, ka treguar burimi.
Familja e Kendall-it e ka pranuar menjëherë Jacob-in
Edhe rrethi i ngushtë i Kendall Jenner duket se e ka mirëpritur lidhjen. Sipas burimit, familjarët dhe miqtë e modeles janë të lumtur ta shohin atë në një marrëdhënie që i sjell qetësi.
Jacob-i thuhet se është përshtatur lehtësisht me jetën e Kendall-it dhe ka fituar simpatinë e njerëzve të saj më të afërt. Aktori i “Euphoria” është cilësuar si një “zotëri i vërtetë”, veçanërisht për mënyrën se si sillet me modelen.
“Ata e plotësojnë njëri-tjetrin. Jacob ka një qetësi që i bën shumë mirë Kendall-it dhe ai e trajton jashtëzakonisht mirë”, ka thënë burimi.
Pavarësisht këtyre sinjaleve, çifti nuk duket se po nxiton drejt martesës. Lidhja e tyre është ende relativisht e re dhe, sipas burimeve, të dy po e shijojnë marrëdhënien pa vendosur afate.
Megjithatë, gjestet romantike nuk kanë munguar. Jacob thuhet se po tregohet shumë i kujdesshëm ndaj Kendall-it dhe madje ka nisur të mendojë që tani për ditëlindjen e saj, duke kërkuar dhurata dhe duke u kushtuar rëndësi detajeve të vogla.
Kendall Jenner dhe Jacob Elordi ndezën fillimisht thashethemet për një lidhje në shkurt dhe që prej atëherë, sipas burimeve të afërta me çiftin, marrëdhënia e tyre është bërë gjithnjë e më e fortë.
Një burim tjetër kishte thënë më herët për Page Six se dyshja ishte bërë “praktikisht e pandashme”, duke shtuar edhe më shumë zërat se kjo histori dashurie mund të jetë më serioze nga sa është menduar fillimisht./mxh
