Një prototip që rimonton mijëra fragmente është testuar me sukses
Një robot i udhëhequr nga inteligjenca artificiale do të përdoret për të rindërtuar afresket e Pompeit, të reduktuara në qindra fragmente.
Prototipi u testua me sukses në Parkun Arkeologjik të Pompeit si pjesë e projektit kërkimor “RePAIR” (“Reconstruction of the Past: Artificial Intelligence and Robotics Meet Cultural Heritage”), i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti tregon se robotika dhe inteligjenca artificiale mund të lehtësojnë ndjeshëm punën e arkeologëve në të ardhmen.
Hulumtimi u përqendrua te dy shembuj afreskesh të mëdha, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore, të cilat aktualisht ndodhen në gjendje fragmentare dhe ruhen në depot e Parkut Arkeologjik të Pompeit. Bëhet fjalë për afresket e tavanit të dhomave të Shtëpisë së Piktorëve në Punë, në Insulën e Dashuruesve të Dlirë – të dëmtuara fillimisht nga shpërthimi i vitit 79 pas Krishtit dhe më pas nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore – si dhe për afresket e Schola Armaturarum, të dëmtuara nga shembja e godinës në vitin 2010 dhe ende pjesërisht të parestauruara.
I nisur në shtator 2021, projekti u koordinua nga Universiteti Ca’ Foscari i Venedikut dhe përfshiu universitete e institute kërkimore në Evropë dhe Itali, përfshirë Institutin Italian të Teknologjisë (IIT) dhe vetë Parkun Arkeologjik të Pompeit, ku u aplikua praktikisht teknologjia.
Marcello Pelillo, profesor në Universitetin Ca’ Foscari dhe koordinator i projektit, shpjegon:
“Pas marrjes dhe dixhitalizimit të imazheve të fragmenteve individuale, sistemi përpiqet të zgjidhë enigmën dhe zgjidhja e gjetur i dërgohet platformës harduerike. Ajo, duke përdorur dy krahë robotikë të pajisur me duar të buta, vendos automatikisht fragmentet në pozicionin e duhur. Është një enigmë jashtëzakonisht komplekse, e përbërë nga qindra ose mijëra fragmente, shpesh të konsumuara ose të dëmtuara rëndë, dhe pa një pamje paraprake të rezultatit përfundimtar. Mungon, si të thuash, imazhi në kapakun e kutisë që udhëzon punën.”
Kjo nuk është sfida e vetme:
“Fragmentet e rikuperuara shpesh përfaqësojnë vetëm një pjesë të veprës origjinale, duke lënë boshllëqe të mëdha në rindërtim. Procesi ndërlikohet edhe nga fakti se fragmentet, edhe nëse i përkasin veprave të ndryshme, shpesh janë të përziera me njëra-tjetrën. Për të adresuar këtë problem të vështirë, përdorëm teknika të avancuara të inteligjencës artificiale dhe zhvilluam një ndërfaqe që u mundëson arkeologëve të komunikojnë me sistemin.”
“Është një sfidë e jashtëzakonshme,” shton Gabriel Zuchtriegel, drejtor i Parkut Arkeologjik, “të rimontohet një masë kaq e madhe fragmentesh, si ato të dëmtuara gjatë bombardimeve të Pompeit në vitin 1943. Kjo bëhet e mundur falë formës dhe dekorimit unik të çdo fragmenti. Por asnjë njeri nuk mund ta realizojë këtë punë i vetëm. Këtu hyn në lojë inteligjenca artificiale, e cila na ndihmon të përballojmë kompleksitetin e materialeve arkeologjike dhe që do të ketë një rol qendror në arkeologji në të ardhmen.”
Përgatiti: L.Veizi
