Roma mban në presion Napolin në garën për titullin kampion të Serie A.
Kryeqytetasit arritën të thyenin me shumë vështirësi Parmën, me shifrat 2-1, për të mbajtur hapin e kreut. Skuadra e Gasperinit numëron 21 pikë, aq sa Napoli, në një takim që dhuroi spektakël në pjesën e dytë të lojës. Roma ka fituar shtatë nga nëntë ndeshjet e para të sezonit në Serie A, me vetëm dy humbje. Ecuri që ndodh për herë të gjashtë në historinë e saj, e para që nga viti 2017/18 nën drejtimin e Eusebio Di Francesco.
Fitorja e dytë radhazi për verdhekuqtë, që mban në 3 pikë diferencën me Interin ndjekës. Hakan Çalhanoglu shënoi dy herë në fitoren 3-0 përballë Fiorentinës. Mesfushori turk tregoi edhe njëherë cilësitë, duke zhbllokuar dhe vulosur fitoren e klubit nga Milano.
31-vjeçari u ngjit në kuotën e 5 golave në 7 ndeshje, kuotë që e arriti në 29 përballjet e sezonit të shkuar. Golin e parë me fanellën zikaltër e festoi Suçiç, me mesfushorin kroat që shënoi golin e dytë të sfidës.
Një fitore që e ngjit Interin në kuotën e 18 pikëve, ndërsa konfirmon krizën e Fiorentinës. Tashmë, vjollcët gjenden në zonën e ftohtë të renditjes, me teknikun Pioli që rrezikon shkarkimin. Largimi i Igor Tudor ka ndryshuar fytyrën e Juventusit. Bardhezinjtë fituan 3-1 ndaj Udineses, në një takim të dominuar nga minuta e parë. Vlahoviç, Gatti dhe Yildiz rikthyen te 3 pikëshi torinezët, për të hedhur pas krahëve ecurinë prej 8 ndeshjeve pa fitore.
Juventus ngjitet në kuotën e 15 pikëve, ndërsa Udinese ka 12 pikë në vendin e 10-të./ K.M
