Last Updated on 16/04/2025 by adminfjala
Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit Golden ku mendohet se ka ndërruar jetë dhe më pas është zhdukur Jani Prengës në janar të vitit 2020 ka rrëfyer detaje në sallën e gjyqit për ngjarjen.
Bexhdeli është shprehur se ishte duke pastruar pishinën e kompleksit, kur 4 persona të armatosur kanë mbërritur me një Range Rover të bardhë, dhe ndër të tjera, i kanë kërkuar të zhvendosin trupin në një automjet tjetër, si dhe një kazmë e lopatë.
“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga Rangr në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin.
Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha mu dukën si nga veriu
Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe ju tha “c’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të ikin shpejt.
Nuk e di c’bëri Altini pastaj.
Nuk e di për cfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën ne makinë. Pasi ata ikën unë shkova në shtëpi në Kavajë”,- është shprehur koshtari.
Bexhdili u dënua fillimisht me burgim të perjetshëm, më pas vendimi u prish nga Gjykata e Lartë duke e kthyer për rigjykim. SPAK dyshon se Bexhdili ka dijeni ku është fshehur apo asgjësuar trupi i Jan Prengës, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.
Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i akuzuar për pesë vepra penale në lidhje me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës në 17 janar të vitit 2020.
Porositësi i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës dyshihet se është Dritan Rexhepi, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
Dritan Rexhepi i arrestuar më Stamboll në 10 nëntor 2023 u ekstradua më 8 janar 2025 në Tiranë dhe u dërgua direkt në burgun 313, nën masa të rrepta sigurie. /E.S