Last Updated on 21/09/2025 by adminfjala
Një rrëfim si thriller për burrat dhe gratë me ndikim që iu kundërvunë Hitlerit dhe paguan një çmim të tmerrshëm
Nga Kathryn Hughes
Më 10 shtator 1943, një grup i vogël miqsh të lidhur mirë u mblodhën në një apartament të vogël në lagjen Charlottenberg të Berlinit. Mikpritësja ishte Elisabeth von Thadden dhe arsyeja formale ishte 50-vjetori i motrës së saj më të vogël. Në të vërtetë, kjo ishte një histori mbuluese për takimin e nëntë personave me ndikim, të cilët po diskutonin se çfarë duhej bërë tani që ishte e qartë se Hitleri po e humbiste luftën.
Otto Kiep, ish-diplomat, foli me shpresë për mënyrën sesi rënia e fundit e Musolinit tregonte se Italia ishte gati të bënte paqe me aleatët, ndërsa zonja e njohur e jetës politike Hanna Solf mezi priste momentin e rënies së Hitlerit: “Do ta vëmë përballë murit.” Ndërkohë, vetë Von Thadden, protestante e devotshme dhe ish-drejtoreshë e një shkolle elitare për vajza, paralajmëroi për krizën humanitare që do të pasonte përfundimin e armiqësive. Për ata që ishin mbledhur atë pasdite të vonë vere për çaj, sanduiçe dhe një ushqim të pashijshëm të quajtur “tortë lufte”, rilindja e Gjermanisë si një shtet demokratik dukej aq afër sa mund ta prekësh.
Asnjëri prej tyre nuk ishte rebel i lindur, dhe Jonathan Freedland bën një punë të shkëlqyer duke hyrë në mendjet e tyre për të treguar zhgënjimin e ngadalshëm dhe të vonuar me nazistët. Shumë prej tyre vinin nga familje të dalluara ushtarake, të djegura nga disfata e Luftës së Parë Botërore dhe poshtërimi pas Traktatit të Versajës. Për këta patriotë të mirëfilltë, premtimi nazist për të rikthyer krenarinë ushtarake të Gjermanisë, e për të sjellë stabilitet ekonomik, fillimisht ishte tërheqës. Një kthim tek vlerat e përjetshme të Gëtes dhe Bethovenit dukej i pashmangshëm.
Kjo naivitet nuk zgjati. Kur u bë e qartë tmerret e programit nazist të pastrimit racor, nuk mund të rrinin duarkryq. Në vitin 1933, Kiep, atëherë konsull i përgjithshëm në SHBA, rrezikoi gjithçka për të nderuar publikisht Albert Einstein-in, refugjatin më të njohur hebre nga nazizmi. Ky gjest i kushtoi menjëherë thirrjen në atdhe. Për Von Thadden, momenti i kthesës erdhi kur pa se çfarë kishte planifikuar Rajhu i Tretë për Krishterimin – një “kishë gjermane” të re, ku Hitleri do të zinte vendin e Krishtit. Ndërsa kontesha Lagi von Ballestrem sfidën e gjeti duke ndihmuar qindra “nëndetëse” – hebrenj të fshehur – të mbijetonin dimrat e tmerrshëm të Berlinit, duke i çuar drejt lirisë përmes rrjeteve të tuneleve dhe dokumenteve false. Ajo ishte mjeshtre e “fyerjes së heshtur”: kudo që shkonte mbante në duar dy qese të rënda me rroba të palara – justifikimi perfekt për të mos ngritur dorën në përshëndetjen e detyruar “Heil Hitler”.
Ajo që askush nuk e kuptoi deri sa ishte vonë, ishte se mes tyre kishte një informator. Ai erdhi në takim me rekomandime të shkëlqyera, por më pas doli se kishte diçka të dyshimtë. Ndiqte me ngulm çdo fjalë, sikur po mbante shënime mendore, dhe mundohej të nxirrte më shumë rrëfime. Në të vërtetë, ai i shkruante të gjitha dhe ia dorëzonte shefit të tij në Gestapo, Herbert Lange, famëkeq për mizoritë e tij. Brenda 18 muajsh, pothuajse të gjithë ata që kishin marrë pjesë në atë mbledhje përfunduan të vdekur ose në burg.
Në 74 kapituj të shkurtër dhe të ngjeshur, secili i mbyllur me një situatë pezull, Freedland ndjek kthesat dramatike të këtyre heronjve të pavullnetshëm që përpiqeshin të shmangnin, e më pas të përballonin, fatin e tyre. Fillimisht kishte vetëm një heshtje të frikshme, pastaj një trokitje në derë, ose një prekje në shpatull. Si të burgosur prestigjiozë, me emra të lidhur me elitat gjermane të para luftës, ishte e pashmangshme që të shfrytëzoheshin për propagandë. Kishte gjyqe spektakolare, me avokatë të shtrenjtë, dëshmitarë dhe lutje nga familjarët. Asgjë nuk vlejti. Kiep u var, Von Thadden u ekzekutua me prerje koke. Arthur Zarden, funksionar i lartë në ministrinë gjermane të financave, arriti t’u shpëtonte rojeve dhe hodhi veten drejt vdekjes, ndërsa të tjerët morën dënime të gjata burgu.
Freedland ka prodhuar atë që rrallë gjendet – një libër historie i dokumentuar me përpikmëri, por që lexohet me ritmin e një thrilleri. Megjithatë, është edhe një vepër serioze që ngre një pyetje të pakëndshme: Sa prej nesh, nëse do të na jepej mundësia ta kalonim një realitet politik të papëlqyeshëm pa shumë vështirësi, do të gjenim guximin të ngriheshim, të flisnim dhe të përballeshim me pasoja të pashmangshme e të tmerrshme?
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
