Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko ka bërë thirrje për bisedime, pas spekulimeve në Kiev se vendi i tij mund të përfshihet më drejtpërdrejt, në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Qëndrimi ynë është paqësor”, tha Lukashenko gjatë një takimi me guvernatorin e rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov. “Le të negociojmë, njerëz”, shtoi ai.
Tensionet mes Minskut dhe Kievit janë rritur. Ukraina ka paralajmëruar Bjellorusinë, të mos luajë rol aktiv në luftë dhe e ka akuzuar atë për rritje të pranisë ushtarake.
Kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, më shumë se katër vjet më parë, forcat e saj avancuan drejt Kievit nga territori bjellorus.
Lukashenko është një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin, por deri tani është përmbajtur nga dërgimi i trupave bjelloruse në konflikt.
Raportet mediatike kanë sugjeruar se Kremlini ka shtuar presionin ndaj Minskut, ndërsa forcat ruse po hasin vështirësi në arritjen e përparimeve të ndjeshme, në rajonin e Donbasit në Ukrainë.
Lukashenko këmbënguli se Bjellorusia nuk ka asnjë qëllim të sulmojë Ukrainën. Ai tha se në anën tjetër të kufirit, ndodhen vetëm njësitë ukrainase të mbrojtjes territoriale – forca vullnetare rezervë përgjegjëse për mbrojtjen lokale./mxh
