Nga Auron Tare
“Rroftë Shqipëria”
Diku, në një cep të humbur të Shqipërisë, ka qenë dikur një urë.
Ura lidhte dy brigjet e lumit këtej Shqipëria, andej Greqia.
Sot ura nuk është më. Koha dhe politika e rrënuan, por gjurmët e saj duken ende në brigjet e thepisura të lumit.
Hapësira midis dy brigjeve nuk është më shumë se njëzet metra. Njëzet metra që ndajnë jo vetëm lumin, por edhe mënyrën se si dy shtete respektojnë vetveten.
Në njërën anë, grekët kanë ngritur flamurin e tyre. Një Konizmë e vogël ku ndezin qirinj pranë tij, dhe një tabelë ku tregohet historia e urës. Po ashtu, një fotografi e vjetër, kur ura ishte ende në këmbë.
Në atë fotografi dallohen, nga ana jonë, fjalët e shkruara me të bardhë: “Rroftë Shqipëria”. (Për ironi këto fjalë i lexon nga ana e grekut). Një shprehje që rrallë e ndesh sot.
Nga krahu i grekëve, “Zito Elladha”.
Sot, edhe pse ura ka rënë, grekët e respektojnë historinë e saj dhe flamurin e tyre.
Ndërsa shqiptarët, në anën tjetër të lumit, kanë ngulur një flamur të shqyer, mbi një hekur të ndryshkur dhe të shtrembër.
Nuk ka as tabelë për historinë e Urës por as fjalët Rroftë Shqipëria”
Një Shtet që harron të ngrejë me dinjitet edhe flamurin e vet nuk ka si kujton historinë e Urës. E kështu bashkë me historinë shuhen edhe gjurmët e dikurshme që e kthejnë vendin në një popull pa identitet.
