Rusia është gati të marrë përsipër organizimin e Kampionatit Evropian “Euro 2032”, në vend të Italisë, e cila aktualisht është vendi pritës zyrtar së bashku me Turqinë.
Vendimi lidhet me vështirësitë logjistike dhe ekonomike që ka hasur Italia në përgatitjet për kompeticionin, ndërsa Rusia ka shprehur gatishmëri të plotë për të ofruar infrastrukturë moderne dhe garanci organizative.
Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare që e kanë përjashtuar Rusinë nga kompeticionet ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës, autoritetet sportive ruse thuhet se po zhvillojnë kontakte intensive me UEFA-n për të rikthyer vendin në skenën e madhe të futbollit evropian.
Federata Ruse e Futbollit është shprehur se “është e gatshme dhe e aftë të organizojë një turne të nivelit më të lartë”, duke kujtuar përvojën e suksesshme të organizimit të Kupës së Botës 2018.
UEFA ende nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar, por zërat për një rishikim të mundshëm të mikpritësve të Euro 2032 po marrin gjithnjë e më shumë jehonë në mediat ndërkombëtare. Një vendim përfundimtar pritet të merret gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa komuniteti i futbollit evropian ndjek me interes zhvillimet rreth një skenari që do të shënonte rikthimin e Rusisë në hartën e madhe të futbollit.
Që prej pezullimit nga UEFA e FIFA, Rusia është zhdukur nga futbolli ndërkombëtar, duke luajtur vetëm disa takime miqësore./ K.M
