Last Updated on 14/09/2026 by Klara
Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur në një sulm rus ndaj një depoje që i përkiste një kompanie bujqësore në veri të Ukrainës. Sipas Policisë Kombëtare ukrainase, sulmi ndodhi në një depo në qytetin Priluki, në rajonin Chernihiv, rreth 130 kilometra në verilindje të Kievit.
“Sipas informacioneve fillestare, tre persona u vranë dhe shtatë u plagosën”, njoftoi Policia në një deklaratë. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur llojin e predhës së përdorur në sulm, ndërsa kanë publikuar fotografi ku duket një ndërtesë e vogël me tulla, e dëmtuar rëndë nga shpërthimi. Sulmi vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës logjistike të Ukrainës. Që prej nisjes së pushtimit në shkurt të vitit 2022, sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike të vendit.
Gjatë muajve të fundit, Moska ka shtuar gjithashtu sulmet me raketa dhe dronë ndaj Kievit dhe infrastrukturës logjistike ukrainase, duke goditur ndër të tjera rrjetet hekurudhore, depot dhe zinxhirët e furnizimit. Sulmet kanë prekur edhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ukrainase, përfshirë eksportet e drithërave përmes Detit të Zi dhe kompanitë metalurgjike. Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet në territorin rus, duke synuar kryesisht rafineritë e naftës dhe depot e furnizimit, në përgjigje të goditjeve të Moskës./k.m
