Japonia dhe Filipinet kanë rënë dakord të thellojnë marrëdhëniet e tyre dypalëshe, duke i ngritur ato në nivelin e një partneriteti gjithëpërfshirës dhe strategjik.
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, deklaroi se ky vendim pasqyron vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve si partnerë me të njëjtat vlera, pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare.
Nga ana e tij, presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përforcuar ndjeshëm dhe se tani janë ngritur nga një partneritet strategjik i forcuar në një partneritet strategjik gjithëpërfshirës.
Në deklaratën e tij, Marcos njoftoi gjithashtu nisjen e negociatave për një marrëveshje mbi shkëmbimin e informacionit të klasifikuar ushtarak, si dhe për përcaktimin e kufijve detarë mes dy vendeve.
Sipas tij, këto hapa janë thelbësorë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe për ruajtjen e një rendi detar të bazuar në rregulla.
Në kuadër të marrëveshjeve të reja, Japonia dhe Filipinet nënshkruan gjithashtu një traktat për shmangien e taksimit të dyfishtë, ndërsa të dy liderët vlerësuan progresin e marrëdhënieve mes Tokios dhe Manilës.
Sipas raportimeve, Japonia po shqyrton mundësinë e furnizimit të Filipineve me anije luftarake dhe avionë patrullimi, në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit të mbrojtjes.
Afrimi mes dy vendeve vjen në një kohë tensionesh në rritje në Detin e Kinës Jugore, ku Filipinet përballen shpesh me anije kineze, ndërsa Tokio dhe Manila po forcojnë aleancat me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre për të balancuar ndikimin e Pekinit në rajon./mxh
