Shkaqet më të shpeshta të dëmtimeve të syve dhe si mund të mbrohemi
Dëmtimet e syve gjatë notit dhe sporteve ujore janë mjaft të shpeshta. Ato mund të variojnë nga irritimet dhe gërvishtjet e lehta deri te plagët e rënda dhe dëmtimet që mund të kërcënojnë shikimin.
Kur ndodhin gjatë aktiviteteve sportive, dëmtimet e syve përbëjnë një nga shkaqet kryesore të humbjes së shikimit te fëmijët në vendet perëndimore, sipas Institutit Kombëtar të Syve në SHBA (National Eye Institute – NEI).
Shumë dëmtime të syve ndodhin gjatë sportit
Një studim i fundit, i kryer te fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të moshës 6 deri në 24 vjeç me dëmtime të syve, tregoi se rreth 20% e rasteve kishin ndodhur gjatë aktiviteteve sportive. Në rreth 90% të këtyre rasteve, dëmtimet mund të ishin shmangur nëse gjatë sportit do të ishin përdorur mjete të posaçme mbrojtëse për sytë.
Një tjetër studim ka treguar se një pjesë e madhe e dëmtimeve shkaktohen nga sportet me top, të cilat në disa raste mund të sjellin edhe dëmtime shumë të rënda të syrit.
“Dëmtimet e syve gjatë sporteve ujore shpesh shkaktohen nga goditjet e drejtpërdrejta. Një top tenisi nga raketat që lëviz me shpejtësi të madhe, një objekt i marrë nga era e fortë apo edhe një goditje me bërryl nga një bashkëlojtar brenda ujit mund të shkaktojë probleme serioze”, shpjegon dr. Anastasios-I. Kanellopoulos, kirurg okulist dhe profesor i Oftalmologjisë në Universitetin e Nju Jorkut.
Këto dëmtime mund të shkaktojnë gërvishtje të kornesë, fraktura të orbitës së syrit, hemorragji apo edhe humbje të shikimit.
Në disa raste, dëmtimi shkaktohet nga gishtat ose nga syzet optike të thyera, të cilat mund të depërtojnë në sy dhe të shkaktojnë plagë të rënda. Një tjetër rrezik është rrezatimi ultraviolet (UV), i cili pas ekspozimit të gjatë në diell, pranë ose brenda ujit dhe në rërë, pa mbrojtje të syve, mund të shkaktojë djegie të kornesë, të njohur si fotokeratit.
Kujdes edhe gjatë notit
Edhe noti në vetvete mund të paraqesë rrezik për sytë.
Kimikatet që përdoren në pishina, për shembull, mund të shkaktojnë irritim, veçanërisht kur notojmë vazhdimisht me sytë hapur. Ndërkohë, në ujërat e ndotura mund të gjenden mikroorganizma të rrezikshëm, ndërsa rëra mund të futet lehtësisht në sy, sidomos gjatë zhytjeve pa maskë ose syze mbrojtëse.
Sipas një studimi të fundit, gati 52% e dëmtimeve të syve të lidhura me sportet ujore ndodhin gjatë notit. Në më shumë se shtatë nga dhjetë raste, personat e dëmtuar janë të mitur.
Dëmtimet mund të jenë nga të lehta deri në shumë të rënda. Gërvishtjet e kornesë, edhe kur janë të vogla, mund të shkaktojnë dhimbje të forta, skuqje dhe ndjeshmëri të madhe ndaj dritës.
Noti dhe sportet ujore renditen të dytat ndër sportet që lidhen më shpesh me gërvishtjet e kornesë, pas basketbollit.
Një goditje e fortë në sy mund të shkaktojë gjithashtu hifemë, pra grumbullim gjaku midis kornesë dhe irisit, si dhe mavijosje, hemorragji ose fraktura të orbitës së syrit.
Rreziku nga rëra dhe trupat e huaj
Kokrrizat e rërës dhe trupat e tjerë të huaj mund të gërvishtin sipërfaqen e syrit. Nëse nuk hiqen në mënyrën e duhur, mund të rrisin edhe rrezikun e infeksioneve.
Një tjetër problem është fotokeratiti i shkaktuar nga rrezatimi ultraviolet. Bëhet fjalë për një gjendje shumë të dhimbshme, e cila mund të shkaktojë skuqje, ndjesinë sikur në sy ka rërë ose një trup të huaj dhe shikim të turbullt.
Dëmtimet depërtuese të syrit janë edhe më serioze, pasi mund të çojnë në humbje të shikimit dhe të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Si t’i mbrojmë sytë?
Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur sytë është përdorimi i syzeve të posaçme mbrojtëse gjatë notit dhe sporteve ujore.
Syzet e zakonshme optike dhe syzet e diellit nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme, sidomos gjatë aktiviteteve si raketat apo volejbolli në plazh. Nëse thyhen, copat e xhamit mund të shkaktojnë dëmtime serioze depërtuese në sy.
Syzet mbrojtëse janë veçanërisht të rëndësishme për personat që përdorin lente kontakti, në mënyrë që të kenë shikim të qartë pa qenë nevoja t’i përdorin lentet brenda ujit.
Lentet e kontaktit nuk duhet të bien në kontakt me asnjë lloj uji, qoftë ujë rubineti, pishine, deti, liqeni apo lumi. Noti me lente kontakti mund të shkaktojë irritim ose infeksion serioz të syrit, madje edhe ulçerë të kornesë.
Pas daljes nga deti ose pishina, këshillohet të shpëlani fytyrën me ujë të pastër, në mënyrë që rëra, klori dhe substancat e tjera të largohen nga qepallat dhe qerpikët.
Në pishinat me ujë të kloruar, lotët artificialë mund të ndihmojnë gjithashtu në parandalimin e tharjes së syve, pasi klori dhe substancat e tjera kimike mund të dëmtojnë shtresën natyrale të lotëve që mban syrin të hidratuar.
Mos i fërkoni sytë
Një tjetër këshillë e rëndësishme është të mos i fërkoni sytë sapo të ndjeni shqetësim.
Nëse duart nuk janë të pastra, ato mund të transmetojnë baktere, viruse ose parazitë të marrë nga plazhi apo pishina. Nëse në sy ka një kokërr rëre, fërkimi mund të shkaktojë edhe më shumë dëmtime në sipërfaqen e kornesë.
“Siguria e syve shpesh neglizhohet gjatë verës. Megjithatë, dëmtimet mund të kenë pasoja afatgjata dhe të ndryshojnë përgjithmonë jetën e pacientëve. Ato nuk janë të pashmangshme. Nevojiten vetëm pajisjet e duhura mbrojtëse dhe zakone të mira”, përfundon dr. Kanellopoulos.
Prandaj, ndërsa shijojmë detin, pishinat dhe sportet ujore këtë verë, mbrojtja e syve duhet të jetë po aq e rëndësishme sa mbrojtja nga dielli./ad
