Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se opozita organizon protesta paqësore dhe u distancua nga individët që përdorën molotovë dhe lëndë piroteknike gjatë protestës së fundit.
Në një konferencë për mediat para fillimit të protestës i pyetur për vendimin e Policisë së Shtetit, e cila nuk i dha leje opozitës për të protestuar, Berisha u shpreh se sulmet me molotov nuk janë pjesë e aktiviteteve të PD-së.
Berisha shtoi se inskenimet me molotov dhe fotografitë e shpërndara nuk kanë lidhje me PD-në.
“Protesta është paqësore. Po të mos e kishim, nuk do të thoshim “protestë paqësore”. Ne e kemi platformë këtë. Ne jemi opozitë demokratike. Opozita nuk ka banditë. Ky është një akt provokacioni i rëndë i tyre dhe nuk ka asnjë impresion opozita.
Do të vazhdojmë gjer në fitore të plotë. Këta minj që po ikin do të kapen kudo që të jenë. Të vjedhësh 13 vite dhe, në momentin kur merr vesh që është lëshuar fletë-arresti, ia mbath dhe ikën… Së pari, korrupsioni do të shpallet krim i rëndë; largimi do të shpallet krim që dyfishon dënimin.
Kjo do të thotë se do të kalben në burg për këtë largim që bëjnë. Skenari është atje. Molotovët nuk i organizon PD. Nëse shihni inskenimet që i përgatisin dhe i japin me foto. Nuk i ha kush. Në protestën e fundit ishte policia që hodhi molotov drejt protestuesve”-tha Berisha.
Sali Berisha nuk dha asnjë koment për skenarin që do të ndjekin në protestën e sotme, por u dha porosi protestuesve që të respektojnë besimtarët myslimanë dhe të mos afrohen tek xhamia pranë Kuvendit, duke qenë se ndodhemi në muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Edhe njëherë, për të gjithë ata që agjërojnë, nderimin dhe respektin tim më të madh. Dënoj me forcën më të madhe pushtimin e vakëfit dhe të xhamisë nga banditë me uniformë dhe kërkoj që njeri prej tyre të mos shkelë në territorin e vakëfit dhe të xhamisë. Protestuesit, absolutisht, përveç nderimit më të madh për ata që falin namazin në xhami, nuk mund të kenë asgjë tjetër. Ata që hyjnë me uniforma, ata që përdorin territorin kundër protestuesve paqësorë, ata në ferr do përfundojnë, në xhehenem, atje e kanë vendin. Ata kryejnë një akt dy herë më të rëndë. Prandaj, ne u shprehim respektin më të madh, se çfarë bëjnë banditët, ajo nuk është përgjegjësia jonë. Por ne do i çlirojmë shqiptarët edhe nga këta banditë”, tha Berisha.
