Kriza në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë kanë dominuar diskutimet e ministrave të jashtëm të vendeve nordike dhe baltike gjatë një takimi në ishullin Saaremaa të Estonisë.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se nuk ka një zgjidhje të shpejtë për përplasjen në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se pasojat janë negative në disa drejtime. Sipas saj, ekonomia globale po ndikohet ndjeshëm, ndërsa Rusia po përfiton nga rritja e çmimeve të naftës. Po ashtu, furnizimet me armë nga Shtetet e Bashkuara drejt vendeve nordike dhe baltike po përballen me vonesa.
Kallas theksoi se për Evropën, liria e lundrimit është e panegociueshme dhe njoftoi se ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord të zgjerojnë sanksionet ndaj Iranit për shkak të kufizimeve në transportin detar. Ajo shtoi se operacionet detare të BE-së mund të luajnë një rol më të madh në rikthimin e flukseve të energjisë dhe tregtisë, ndërsa programet bërthamore dhe raketore të Iranit mbeten shqetësim serioz.
Në fokus të deklaratave ishte edhe lufta në Ukrainë. Kallas bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka dërguar një mesazh të qartë përmes një kredie prej 90 miliardë eurosh dhe paketave të reja të sanksioneve, duke theksuar se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë derisa Rusia të kuptojë se lufta nuk sjell përfitime.
Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e progresit në negociatat për paqe, duke thënë se Rusia nuk është e gatshme për dialog real dhe se Perëndimi nuk duhet të vendoset në pozicion lutës për bisedime.
Ndërkohë, ministri i jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, vuri theksin te rëndësia e sigurisë në rajonin verior. Ai deklaroi se Norvegjia po bashkëpunon ngushtë me aleatët për të forcuar kontrollin dhe mbikëqyrjen detare, veçanërisht pranë Gadishullit Kola, ku Rusia mban një pjesë të madhe të arsenalit të saj bërthamor.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve nordike dhe baltike u përqendrua në sfidat e sigurisë rajonale, ndërsa tensionet globale dhe zhvillimet gjeopolitike mbeten në qendër të shqetësimeve të Bashkimit Evropian./mxh
