Guvernatori i Banka e Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se gjatë vitit 2025 institucioni ka vijuar të forcojë stabilitetin monetar e financiar, duke zbatuar rekomandimet e Kuvendit dhe duke avancuar procesin e përafrimit të kuadrit rregullator me standardet e Bashkimi Evropian.
Duke raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale mbi zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, Sejko tha se politika monetare ka mbetur e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, ndërsa vendimmarrja është mbështetur në analiza më të thelluara dhe të dhëna më të plota.
“Politika monetare gjatë kësaj periudhe është udhëhequr nga të dhënat dhe nga objektivi ynë kryesor: ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ajo ka qenë një politikë e kujdesshme, fleksibël, e bazuar në të dhëna dhe brenda mandatit tonë ligjor”, u shpreh Guvernatori.
Sejko bëri të ditur se inflacioni shënoi një mesatare prej 2,2% gjatë vitit 2025, duke mbetur pranë objektivit prej 3%, ndërsa parashikimet tregojnë se ai do të vijojë të mbetet i qëndrueshëm edhe në periudhën në vijim.
Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbështet regjimin e lirë të kursit të këmbimit, duke vlerësuar se forcimi i lekut ka ardhur si rezultat i rritjes së të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja dhe përmirësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
“Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor nuk kanë synuar mbajtjen e kursit në një nivel të caktuar, por zbutjen e lëvizjeve të shpejta dhe shmangien e rreziqeve për stabilitetin monetar e financiar”, tha ai.
Sipas Sejkos, në fund të vitit 2025 rezerva valutore e vendit arriti në rreth 7,3 miliardë euro, ndërsa sektori bankar ruajti tregues të shëndetshëm, me kreditë me probleme që zbritën në 3,8%, niveli më i ulët që nga viti 2008.
Guvernatori nënvizoi gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë shënuar përparime në integrimin financiar evropian, përmes anëtarësimit të Shqipërisë në zonën SEPA dhe modernizimit të sistemeve të pagesave.
“Në çdo rast, qëllimi ynë ka qenë i njëjtë: më shumë stabilitet, më shumë siguri dhe më shumë qartësi për qytetarët, bizneset dhe tregjet. Banka e Shqipërisë do të vijojë të veprojë me pavarësi, përgjegjësi dhe maturi, në shërbim të stabilitetit monetar e financiar dhe rrugës evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Sejko./kb
