Last Updated on 08/07/2026 by Anisa
Një vit pas daljes nga burgu, deputeti Ervin Salianji ka rikthyer në vëmendje periudhën që ai e konsideron si “burgosje politike”, duke e shënuar përvjetorin e lirimit me një mesazh reflektues dhe politik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se, sipas tij, asnjë pushtet nuk mund të burgosë bindjet, të vërtetën dhe idealet, ndërsa shpreh mirënjohje për mbështetjen që ka marrë gjatë kësaj periudhe.
Në reagimin e publikuar, Salianji shkruan:
“Sot, një vit liri.
Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.
Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë.
Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.
Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin.
Mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme.”/ad
