Eksperti i ekonomisë, Dr. Selami Xhepa vlerëson se buxheti i Shqipërisë për vitin 2026 dallon nga vitet e mëparshme vetëm në dy drejtime konkrete: rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe një vëmendje më të fortë ndaj pensioneve.
Sipas Xhepës, logjika themelore e çdo buxheti është e thjeshtë: identifikimi i një dobësie dhe adresimi i saj përmes shpenzimeve publike. Në rastin e buxhetit të vitit 2026, dobësia e parë që shteti ka zgjedhur të adresojë është mbrojtja, një zgjedhje që ai e konsideron të kuptueshme në kushtet e reja gjeopolitike dhe detyrimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s. “E gjithë bota po shkon drejt armatimit dhe vendet e vogla nuk mund të vazhdojnë më të jenë ‘free riders’,” thekson Xhepa, duke nënvizuar se tashmë çdo shtet duhet të mbajë peshën e vet në sigurinë kolektive.
Prioriteti i dytë i buxhetit, sipas tij, janë pensionet dhe axhenda sociale. Xhepa vëren se për herë të parë shpenzimet për pensionet jo vetëm që përbëjnë peshën më të madhe në buxhet, por edhe rritja e fondeve krahasuar me vitet e kaluara është më e ndjeshme. Megjithatë, ai e cilëson këtë si një reagim të vonuar ndaj një problemi të kahershëm social.
“Jemi shumë të vonuar, sepse është e pafalshme për një shoqëri dhe për një ekonomi si e jona që, megjithëse modeste, nuk jemi më keq se vendet e rajonit – pra se sa Maqedonia, fjala vjen apo Bosnja dhe Hercegovina – dhe të kemi pensione që janë dy herë më të ulëta se këto vende.” shprehet Xhepa. Sipas tij, reformat strukturore dhe indeksimet e pensioneve duhej të ishin ndërmarrë shumë më herët.
Përtej këtyre dy zërave, Xhepa argumenton se pjesa tjetër e buxhetit mbetet kryesisht “business as usual”, me rritje lineare të shpenzimeve që ndjekin projeksionet e rritjes ekonomike, pa një vizion të qartë reformues. Ai e krahason këtë qasje me një formë buxhetimi mekanik, ku shtesat bëhen automatikisht, pa një rishikim të thellë të prioriteteve./et
