Banorë, intelektualë, përfaqësues të Bashkisë së Selenicës dhe të fshatrave të zonës janë mbledhur në qendër të qytetit për të zhvilluar Kuvendin e Selenicës, ku po diskutohet kundërshtimi ndaj reformës së re territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit shprehën argumentet pro dhe kundër ndryshimeve të propozuara, ndërsa pritet të vendosin edhe hapat që do të ndërmarrin në vijim për të mbrojtur statusin e Selenicës si njësi e pavarur vendore.
Në fjalën e tyre, banorët dhe intelektualët e zonës kërkuan tërheqjen nga reforma territoriale, duke argumentuar se bashkimi i Selenicës me Bashkinë e Vlorës do të sillte vështirësi në marrjen e shërbimeve publike për qytetarët.
Sipas tyre, një bashkim i tillë rrezikon ta lërë Selenicën në harresë, duke ulur vëmendjen institucionale dhe investimet për zonën.
Pjesëmarrësit theksuan se Bashkia e Selenicës duhet të ruajë statusin aktual, duke e konsideruar atë një domosdoshmëri për zhvillimin e zonës dhe për garantimin e shërbimeve më pranë komunitetit./ad
