Last Updated on 01/08/2026 by Anisa
Nga ERVIN BAKU
Kupa e Botës e hapur për investitorët privatë: Plani i madh i Gianni Infantinos braktiset
Zemërimi i shkaktuar në mbarë botën dhe kërcënimi i një bojkoti nga UEFA e kanë detyruar Gianni Infantinon të tërhiqet nga plani i tij për të krijuar një kompani tregtare për të shitur një pjesë të Kupës së Botës.
Në një deklaratë të bërë të shtunën, vonë në mbrëmje, Gianni Infantino njoftoi braktisjen e planit të tij për të hapur Kupën e Botës për investitorët privatë. Kjo hapje kapitali, të cilën presidenti i FIFA-s e parashikoi me një normë prej 20% me qëllim mbledhjen e 4.2 miliardë dollarëve (3.6 miliardë euro), kishte si kandidat kryesor fondin e investimeve Thrive Eternal, të themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Ekzekutivi zviceran duhej t’u nënshtrohej kundërshtimeve të shumta nga konfederatat.
“Pasi dëgjova me kujdes të gjitha pikëpamjet e shprehura, është e qartë se ky projekt ka krijuar përçarje të cilat, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk i shërbejnë më objektivit të deklaruar fillimisht. Objektivi ynë ka qenë gjithmonë – dhe do të jetë gjithmonë – të bashkohemi dhe të ecim përpara. Si pasojë, ky propozim nuk do të vazhdojë”, thuhet në deklaratën e presidentit të FIFA-s.
UEFA kishte reaguar duke kërcënuar të bojkotonte Kupën e Botës 2030, CONCACAF e kishte refuzuar propozimin, Carlos Cordeiro, këshilltari kryesor i Gianni Infantinos në FIFA, njoftoi dorëheqjen e tij të premten për të sinjalizuar kundërshtimin e tij, ndërsa Kevin Lamour, zyrtari numër tre, ishte distancuar nga projekti.
