Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë me financime konkrete në rrjetin europian të infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe do të përfitojnë financime direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të IA dhe integrimin në ekosistemin europian të superkompjuterave.
Shqipëria, e cila ka promovuar së fundmi veten si një nga vendet e pakta në botë që ka një ministre të inteligjencës artificiale, të pagëzuar me emrin Diella nuk ka marrë financime në këtë fazë të programeve, sipas hartës dhe listës së publikuar nga Komisoni Europian, ndonëse është pjesë e rrjetit të superkompjuterave të Europës nga qershori i vitit të kaluar.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut përfshihen në dy projektet e “Ai Factory Antennas” (porta rajonale drejt infrastrukturës europiane të inteligjencës artificiale).
Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro financim nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna), një platformë kombëtare për zhvillimin dhe testimin e inteligjencës artificiale.
Projekti synon të krijojë një hub kombëtar që do t’u japë akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në burime kompjuterike, mjete IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
SAIFA do të funksionojë si pjesë e rrjetit europian të AI Factories dhe do të lidhet me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar testimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve IA në shkallë europiane. Projekti synon të mbështesë zhvillimin e inteligjencës artificiale në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe gjuha.
Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendra kombëtare e inteligjencës artificiale, me një vlerë totale rreth 6 milionë euro, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian përmes Horizon Europe dhe iniciativës EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë.
Qendra synon të lidhë universitetet, shtetin dhe industrinë me rrjetin europian të inteligjencës artificiale dhe do të funksionojë si nyje e lidhur me Pharos AI Factory në Greqi, duke u dhënë institucioneve publike, kompanive dhe start-up-eve akses në superkompjuterë dhe databaza europiane.
Sipas autoriteteve të vendit, projekti synon të integrojë Maqedoninë e Veriut në rrjetin europian të qendrave të IA dhe të krijojë mundësi të reja për kërkim shkencor, inovacion dhe zhvillim të industrisë teknologjike./kb
