Kuvendi i Shqipërisë do të çelë seancat parlamentare më datë 8 shtator.
Siç bëhet me dije për mediat, fillimisht u propozua data 7 shtator për nisjen e sezonit të ri parlamentar. Kjo datë u kundërshtua, pasi është ditë pushimi sepse Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës përkon me të shtunën, duke shtyrë me 1 ditë kalendarin e pushimeve të festave kombëtare.
Nga ana tjetër, data e nisjes së punimeve parlamentare për sesionin e ri solli një tjetër përplasje me opozitën.
Mësohet se kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tka kërkuar që të mos ketë më pushim tjetër për deputetët dhe seancat të nisin më datë 7 shtator.
“Nuk mendoj që deputetët kanë nevojë për më shumë ditë pushimi. Kushtetuta është mbi ligjin për festat zyrtare dhe, si e tillë, duhet të respektohet Kushtetuta”,-është shprehur Bardhi.
Çelja e sesionit të ri parlamentar pritet të sjellë një sërë diskutimesh, debatesh e përplasjes mes dy forcave kryesore politike, për disa çështje me rëndësi, përfshirë Reformën Administrativo-Territoriale, caktimin e datës për zgjedhjet lokale të vitit 2027, por edhe miratimin e ligjeve reja që duhen përafruar me BE-në./mxh
