Në Montenegro, përfaqësues të sektorit të turizmit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e kostove të transportit dhe infrastrukturës në sezonin e ardhshëm turistik.
Drejtori i hotelit “Splendid”, Zarko Radulovic, tha se mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë për të arritur në Mal të Zi mbetet udhëtimi ajror, por paralajmëroi se rritja e mundshme e çmimit të karburantit mund të ndikojë ndjeshëm në fluksin e turistëve.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Komitetit të Turizmit në Dhomën e Tregtisë së Malit të Zi, Dragan Purko Ivancevic, deklaroi se aktualisht nuk ka anulime të paketave turistike, por situata mund të ndryshojë nëse problemet vazhdojnë. Ai theksoi se mungesa e infrastrukturës mbetet një nga sfidat kryesore për vendin.
Ivancevic shtoi se projektet rrugore, përfshirë ndërtimin e bulevardit që lidh aeroportin e Tivat me zonën e Budva, po ndiqen me skepticizëm për shkak të vonesave në terren.
Edhe operatorët turistikë në terren ndajnë të njëjtin shqetësim. Bashkëpronari i agjencisë “SIP Travel”, Petar Vujovic, tha se përgatitjet për sezonin po ecin normalisht, por sfidat infrastrukturore mbeten të mëdha dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit.
Ai shtoi se turistët sot i kushtojnë rëndësi të madhe sigurisë dhe se Montenegro mund të përfitojë nga stabiliteti i saj dhe pozicioni në qendër të Evropës, nëse përmirëson aksesin dhe lidhjet rrugore.
Sektori i turizmit shpreson që projektet infrastrukturore të përfundojnë në kohë për të shmangur ndikime negative në sezonin veror./mxh
