Last Updated on 13/05/2026 by EL
Për herë të parë, Ilir Meta ka bërë një reagim mbi publik mbi lajmin se SPAK ka arritur të zbulojë një mesazh ku ish-presidenti kërkon 200 mijë euro në kuadër të aferës CEZ-DIA të dyshuar nga prokurorët e Posaçëm.
Në reagimin e tij, Meta thotë “dua t’ju siguroj se ‘eurot’ ekzistojnë vetëm në dëshirën dhe imagjinatën e prokurorëve”.
“Është e qartë se edhe në fabrikimin e një “sms” të tillë të pretenduar, nuk ka as euro, as dollarë, as lekë dhe as fletëpalosje, apo postera, meqënëse mesazhi i pretenduar koinçidon me Qershorin 2009 para zgjedhjeve parlamentare kur unë kam qenë thjesht një deputet opozitar dhe pa asnjë funksion qeveritar.
Po kështu, çuditërisht nga pala marrëse e kësaj “sms” nuk ka asnjë përgjigje apo reagim (!!!)
Ndërkohë që nuk ka asnjë garanci se kjo “sms” është dërguar nga unë”,- shkruan Meta.
Ish-presidenti, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 1 viti, këmbëngul sërish për transmetimin e drejtpërdrejt të seancave gjyqësore të çështjes së tij në Gjykatën e Posaçme. Ai argumenton se arsyeja kryesore pse e kërkon këtë është përthyerja e asaj çfarë ndodh vërtetë në seancë, nga një pjesë e gazetarëve.
“Arsyeja kryesore pse unë kam kërkuar që gjyqi ndaj meje të jetë live për të gjithë të interesuarit është jo vetëm i mbështetur në Kushtetutë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe legjislacionin tonë, por sidomos në faktin se siç ju e dini më mirë se unë, mbi 90% e televizioneve dhe portaleve kontrollohen nga Qeveria Rama dhe gazetarët raportojnë pas gjyqit sipas direktivave të pronarëve, nën diktatin e zyrës së propagandës gëbelsiane të Edi Ramës, me qëllim çoroditjen e opinionit publik dhe shndërrimin e gënjeshtrave në “fakte” apo “prova” kundër opozitarëve, për të legjitimuar farsat gjyqësore, jo vetëm të urdhëruara nga Asambleja e PS-së, por edhe të iniciuara nga Edi Rama, që nga kallëzuesit e deri te hetimet, i cili siç dihet komandon edhe gjykatat.
Ndaj edhe gjykata nuk e pranoi kërkesën tonë duke iu referuar një neni të Konventës Europiane, që nuk e lejon transmetimin live të gjykimit kur është kundër vetë i pandehuri.
Ndërkohë, që rasti ynë, është krejt i kundërt sepse i pandehuri insiston dhe kjo ka bazë të qartë ligjore sepse asnjë nga çështjet nuk ka lidhje me sigurinë kombëtare”,- thotë Meta./et
